E gjithë vëmendja e sportdashësve shkodranë është përqendruar aktualisht tek ekipi i parë i Vllaznisë se kush do të trajneri i ri i tij dhe kush do jenë futbollistët që do të luajnë me të në sezonin e ardhshëm në kategorinë e parë.
Por në fakt, pakkush ose më mirë të themi askush nuk ka pyetur për Vllazninë B, ekip i cili pas rrëzimit të ekipit të parë, ra edhe ai automatikisht një kategori më poshtë.
Në këto rrethana, para disa kohësh qarkulloi lajmi se ky ekip mund të shkrihej, edhe sepse ishte një kosto financiare më shumë për klubin.
Por nga sa bëhet e ditur, Vllaznia B jo vetëm që nuk do të shkrihet por do të marrë pjesë në kampionatin e kategorisë së dytë, me objektivin e qartë për t’u ngjitur sërish në të parin, aty ku e meriton të jetë.
Ende nuk ka asgjë të qartë se cilët do të jenë lojtarët që do të luajnë për të dhe po ashtu edhe trajneri megjithatë këto dilema do të marrin zgjidhje menjëherë sapo të ketë nisur punë ekipi i parë.
Në klubin shkodran, pak me vonesë por gradualisht puna po ecën me ritmet e duhura dhe shumë shpejt do të jetë sistemuar çdo gjë. Administratori i ri Suad Lici ka premtuar se në klub do të ketë më shumë rregull dhe disiplinë në të gjitha hallkat për ta ngritur edhe njëherë në vendin që i takon.
Vllaznia ka qenë i vetmi klub që ka patur sezonin e kaluar dy ekipe profesioniste dhe kjo u konsiderua diçka shumë e mirë megjithatë gjërat nuk funksionuan si duhet dhe në fund, të dy ato e pësuan.
Megjithatë tashmë është e qartë se drejtuesit e rinj të klubit kanë marrë përsipër një mision të vështirë, ringritjen e të dy këtyre ekipeve një kategori më lart. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë por edhe e pamundur jo, por gjërat duhen marrë shumë seriozisht dhe ata e kanë të qartë këtë gjë.
www.shkodrasport.com