Javën që shkoi “Vllaznia B” mori pikën e parë në kampionatin e kategorisë së parë ku merr pjesë sivjet. Ajo ndali brenda në Pukë Tërbunin vendas me një barazim 1-1. Mbase, mund të kishte marrë edhe më shumë por duhet thënë se stafi dhe futbollistët shkodranë janë të kënaqur me këtë rezultat.Kjo ngaqë u treguan të gjithëve se ky ekip nuk do jetë thjesht për formalizëm në këtë kampionat por do të mundohet ta thotë fjalën e tij ashtu si duhet.

Nëse të shtunën ndali Tërbunin, këtë gjë do të kërkojë ta bëjë këtë javë edhe me Kastriotin kryesues të grupit. Skuadra që drejtohet nga Samuel Nikaj vërtetë ka arritur dy fitore në dy javët e para të kampionatit por të shtunën në “Reshit Rusi” nuk do ta ketë të lehtë. Ekipi shkodran ka në përbërje të tij lojtarë cilësorë dhe me eksperiencë që do të tentojnë të mundin edhe krutanët, ashtu siç do bëjnë më pas edhe me të gjithë ekipet e tjera. Objektivi i tij është i qartë: Zënia e njërit prej pesë vendeve të para në renditje dhe për ta arritur këtë, padyshim që duhen grumbulluar sa më shumë pikë

© shkodrasport.com