Pas fitores ndaj Tërbunit javën që shkoi, “Vllaznia B” ka hedhur hapin e parë drejt arritjes së objektivit, duke siguruar tashmë play out-in.

Megjithatë objektivi përfundimtar padyshim që është qëndrimi në kategorinë e parë dhe për ta arritur atë, do t’I duhet të marrë një barazim të paktën këtë javë në Burrel.

Një ndeshje kjo shumë e vështirë pasi vendasit aktualisht ndodhen në vendin e fundit të renditjes dhe atyre u bën punë vetëm fitorja.

Të luash në këtë fushë sigurisht që gjithmonë ka qenë një problem I madh dhe llogarit pastaj se si do të jetë këtë fundjavë ku vendasit do të tentojnë në çdo mënyrë fitoren.

“Vllaznia B” megjithatë do mundohet të bëjë punën e saj. Të ruajë qetësinë dhe të tentojë të dalë me një barazim nga kjo fushë e vështirë.

Nuk do të jetë e lehtë dhe për më tepër që skuadra do të ketë sërish mungesa megjithatë trajneri Kraja do të tentojë bashkë me futbollistët që do të jenë në fushë, të bëjnë më të mirën edhe në këtë sfidë, duke shpresuar që ajo të jetë e fundit për ta në një kampionat shumë të lodhshëm dhe stresues që kanë kaluar.

Por ndërkohë, ekipi shkodran e ka edhe një shans tjetër për të shpëtuar pa shkuar në play- out.

Edhe nëse ai humbet në Burrel, por në Pukë sfida në mes Tërbunit dhe Korabit do të mbyllej në barazim, do t’I shpëtonte kuqeblutë.

nisur nga të gjitha këto, duket se shanset mbi të gjitha janë në anën e Vllaznisë B.

Tre ekipe të tjera janë më të rrezikuar se ajo por gjithsesi duhen pritur edhe 90 minutat e fundit të fazës së tretë të kampionatit të kategorisë së parë, që do të japin edhe verdiktet përfundimtare të tij.
© shkodrasport.com