Ndeshja e kësaj jave në mes Besës dhe “Vllaznisë B” që do të luhet ditën e shtunë në Kavajë, konsiderohet e rëndësishme për të dy ekipet.

Vendasit e kanë si detyrim marrjen e fitores ngaqë luajnë në fushën e tyre ndërkohë që për shkodranët vlen edhe një barazim.

Ata në fakt kanë treguar se mund të marrin pikë ndaj Besës. Në ndeshjen e para pak javëve në Shkodër ata kanë qenë shumë pranë fitores teksa udhëhiqnin me rezultatin 3-1 por dy gabime çuan në barazimin 3-3.

E njëjta gjë do synohet edhe të shtunën. Por trajneri Kraja do të ketë një mungesë shumë të rëndësishme për këtë ndeshje.

Atë të futbollistit Ergi Borshi i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonave të verdhë dhe për rrjedhojë nuk do mundet të jetë në fushë ndaj Besës.

Padyshim që një mungesë e tillë do të ndikojë në lojën e kuqebluve sepse Borshi njihet për vlerat e tij.

Stafi teknik megjithatë do të mundohet të marrë masat për zëvendësimin e tij dhe për të ndërtuar strategjinë me të cilën do të kërkojnë të marrin pikë në Kavajë.
© shkodrasport.com