Tjetër humbje për “Vllazninë B”. Këtë herë ajo është mundur nga Dinamo me rezultatin 2-0. Ky ka qenë verdikti i ndeshjes së luajtur pasditen e sotme në Pezë- Helmes.
Një humbje kjo që rëndon edhe më shumë pozitat në renditje të kuqebluve të drejtuar nga trajneri Ervis Kraja. Ndeshja ka nisur me një gol të pësuar që në minutën e 3-të.
Ka qenë Muça ai që ka kaluar në avantazh dinamovitët dhe ky gol ka qenë i vetmi deri në përfundimin e kësaj pjese. Në pjesën e dytë, futbollistët shkodranë janë munduar të barazojnë por minutën e 76-të Borshi do të merrte kartonin e dytë të verdhë, duke u larguar më pas me të kuqin nga fusha e lojës.
Kaq do mjaftonte dhe Dinamo do të shënonte edhe golin e dytë me një gol shumë të bukur të shënuar nga Lika me një goditje të fortë nga jashtë zone. Përfundimisht 2-0 për blutë ndërkohë që “Vllaznia B” koleksionon edhe një tjetër rezultat negativ.
© shkodrasport.com