Një ndeshje shumë e fortë është zhvilluar pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” në mes Vllaznisë B dhe Tërbunit.

Të dy skuadrat siç dihet, janë në luftë për mbijetesë dhe fitorja e shkodranëve, u ka dhënë frymëmarrje atyre.

Kuqeblutë e trajnerit Kraja kanë fituar me rezultatin 2-1 në këtë sfidë.

Ata kanë shënuar shumë shpejt të dy golat e kësaj ndeshje. Fillimisht me anë të Hallunajt që në minutën e 9-të i cili shfrytëzon një pakujdesi të mbrojtësve pukjanë në largimin e topit nga zona.

Ndërkohë në minutën e 18-të Hajdari ka shfrytëzuar një pasim të saktë nga e djathta dhe e ka dërguar topin në rrjetë.

Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-0. Në të dytën ndërkohë, Jurgen Gjini ka shënuar të vetmin gol për Tërbunin por që nuk i ka mjaftuar për të marrë pikë.

Me fitoren e sotme, Vllaznia B siguron play out-in ndërkohë që pukjanët kanë një sfidë shumë të rëndësishme javën e fundit në fushën e tyre ndaj Korabit.
© shkodrasport.com