Ditën e shtunë, “Vllaznia B” do të zhvillojë ndeshjen e rradhës për kampionat teksa do udhëtojë drejt Lezhës për t’u ndeshur me Besëlidhjen vendase. Në pamje të parë konsiderohet një takim shumë i vështirë sepse lezhjanët janë ndër ekipet më të mira të kampionatit por edhe shkodranët nuk do heqin dorë nga pretendimet e tyre për të marrë pikë. Për më tepër që ata kanë treguar se më mirë luajnë jashtë Shkodre se brenda saj.

Në fakt edhe në këtë pragndeshje, situata në kampin kuqeblu nuk duket se ka ndryshuar për mirë. Problemet e bëra publike nga trajneri Ervis Kraja menjëherë pas ndeshjes së kaluar me Dinamon, teksa fliste për mungesa pagash prej muajsh apo dhe mungesë mbështetje, vazhdojnë të jenë ende prezente tek kjo skuadër. Vërtetë kampionati është inferior por edhe aty ka garë sportive dhe shkodranët e shohin veten të pabarabartë me kundërshtarët e tyre.  Objektivi i shpallur në fillim të kampionatit për zënien e njërit prej pesë vendeve të para në renditje, duket se është gjithnjë e më larg. Vllaznia B në pesë ndeshjet e luajtura deri më tani, ka arritur të marrë vetëm dy barazime dhe ato në transfertë ndaj Tërbunit dhe Korabit, ndërkohë që ka pësuar edhe tre humbje ndaj Egnatias, Kastriotit dhe Dinamos. Me vetëm dy pikë të grumbulluara, ajo renditet në vendin e parafundit dhe padyshim që një ecuri e tillë nuk është aspak pozitive nisur dhe nga përbërja që ka ekipi. Megjithatë problemet e mësipërme duket se kanë ndikuar dhe tek rezultatet. Gjithsesi nesër ndaj Besëlidhjes, “Vllaznia B” pritet të shfaqë sërish më të mirën e saj dhe do të tentojë të marrë një rezultat pozitiv.
© shkodrasport.com