Futbolli i kategorisë së parë do të luajë ndeshjet e javës së parë të fazës së dytë të kampionatit. Me shumë interes pritet takimi që do të luhet të shtunën pasdite në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës në mes ekipit “Vllaznia B” dhe Egnatias së Rrogozhinës. Themi me interes sepse ekipi shkodran do të kërkojë me ngulm marrjen e një tjetër fitoreje që do të ishte e katërta rradhazi për ta, një fitore që do t’i bënte edhe më të sigurtë në rrugën e tyre për futjen në pesëshen e ekipeve më të mira të kampionatit. Ky është dhe objektivi i tyre këtë sezon dhe mund t’ia dalin.
Sakaq, edhe rrogozhinasit vijnë me pretendimin për të fituar sepse ndodhen aktualisht në vendin e tretë në renditje dhe nuk kanë dëshirë të heqin dorë kollaj nga pretendimet e tyre për t’u ngjitur në Superligë. Por për të qenë ende në garë dhe për të mos iu larguar Kastriotit të vendit të parë, Egnatia pikësëpari duhet të fitojë ndaj “Vllaznia B”. Megjithatë pjestarët e kësaj të fundit, futbollistë e trajnerë nuk do jenë dakord me një gjë të tillë. Skuadra po paraqitet shumë mirë në takimet e fundit dhe jo më kot, ka arritur tre fitore rradhazi. Padyshim që kuqeblutë e trajnerit Ervis Kraja do të tentojnë të marrin fitoren e katërt dhe pastaj të mendojnë edhe të pestën sepse kalendari i saj është shumë i favorshëm ngaqë javën e ardhshme do të presin përsëri në Shkodër ekipin e Tërbunit të Pukës. Nëse i marrin këto dy fitore, futbollistët shkodranë do të jenë në rrugën e duhur për renditjen në vendin e pestë në fundin e fazës së dytë të kampionatit dhe një objektiv i tillë është plotësisht i arritshëm. Kohët e fundit ka një bashkëpunim të shkëlqyer në mes drejtuesve të Vllaznisë B, atyre të ekipit të parë dhe të Akademisë duke shkëmbyer lojtarë të cilët po paraqiten denjësisht dhe kjo natyrisht që është jo vetëm në të mirën e tyre si sportistë por edhe ndihmojnë ekipet respektive për arritjen e rezultateve të duhura.