Ndeshja e rradhës për ekipin “Vllaznia B” është ajo që do të zhvillojë ditën e shtunë në Pukë ndaj Tërbunit vendas.
Një ndeshje e rëndësishme por shumë e vështirë dhe këtë ia shton edhe më shumë fakti që ekipi do të ketë shumë mungesa këtë herë.
Duke filluar nga lojtarët të cilët pritet t’i bashkohen ekipit të parë për ndeshjen ndaj Skënderbeut.
Kjo ngaqë siç dihet, së paku janë pesë lojtarë që do t’i mungojnë trajnerit Gjoka për këtë sfidë dhe ato do të kompesohen me lojtarë të ekipit B.
E sigurtë duket se pjesë e saj për këtë ndeshje do të jenë edhe Ruqi, Hajdari, Isufi, Pusi e Kapaklija.
Ata kanë qenë baza e ekipit të dytë dhe mungesa e tyre padyshim që do të ndikojë për keq. Por mungesat nuk mbyllen këtu.
Borshi siç dihet është ende i pezulluar nga vendimi i Komisionit të Disiplinës. Ndërkohë, Dibra, Hyseni, Hasanaj e ndonjë tjetër janë të dëmtuar prej javësh.
Kjo ka bërë që trajneri Kraja të ketë “dhimbje koke” në pragndeshjen me Tërbunin ku ndonëse do kërkohet rezultat pozitiv, vështirë të arrihet me gjithë këto probleme që skuadra ka.
© shkodrasport.com