Të shtunën do të luhen ndeshjet e fundit të fazës së dytë të kampionatit të kategorisë së parë. “Vllaznia B” do të luajë ndeshjen e rradhës në Burrel ndaj skuadrës vendase.
Padyshim që kuqeblutë do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv për të ruajtur vendin actual në renditje por pse jo edhe për t’u ngjitur një shkallë më lart.
Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse Burreli në takimet e fundit ka treguar një performancë të mirë dhe për më tepër, ka arritur të marrë edhe pikë.
Po ashtu, të luajturit në fushën e vet e bën këtë skuadër pretendente për fitimin e ndeshjes. Megjithatë edhe Vllaznia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj për ta fituar këtë ndeshje.
Ndeshja e fundit me Erzenin që u fitua 1-0 tregoi se kjo skuadër ka forcë për të mundur çdo kundërshtar. Madje në atë sfidë nuk ka patur asnjë futbollist të ekipit të parë dhe pavarësisht kësaj, ajo ka treguar vlera duke fituar.
Trajneri Kraja beson tek futbollistët e tij për suksesin edhe në Burrel. Për më tepër që këtë herë ai do të ketë në dispozicion edhe ndonjë futbollist të ekipit të parë. Kjo ngaqë Vllaznia do ta luajë të hënën ndeshjen e rradhës ndaj Flamurtarit.
Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Burrelit, përfundon edhe faza e dytë e kampionatit të kategorisë së parë dhe më pas do të nisë faza e tretë e tij.
Sipas rregullores, në këtë fazë, skuadrat ndahen në dy grupe. Pesë të parat do luftojnë për titullin kampion ndërsa pesë të dytat për të mos rënë nga kategoria.
Vllaznia B do jetë në pesëshen e dytë ku padyshim objektivi do të jetë renditja në një pozicion sa më të mire dhe normalisht per te mos rene nga kategoria.
© shkodrasport.com