Vllaznia ka marrë një barazim me shumë vlera në Vlorë ndaj Flamurtarit vendas. Në fund të 90 minutave, është fiksuar rezultati 0-0. Kjo ishte një pikë me shumë vlera që vinin pas një situate shumë të tensionuar dhe të zhurmshme nga ndeshja me Tiranën. Megjithatë kuqeblutë kanë luajtur mirë. Sidomos në pjesën e parë ku kanë tentuar në 2-3 momente edhe të godasin portën e Xhelilajt me anë të Sosëz, Shtubinës dhe Sykajt. Flamurtari nga ana e tij rrezikon me anë të Gilbertos dhe Muzakës por portieri Selimaj është sërish në një ditë të shkëlqyer duke neutralizuar çdo gjë.

Në pjesën e dytë vendasit janë më agresivë. Shohin më shumë drejt portës së Vllaznisë por edhe në ato pak raste që krijojnë, ndalen sërish nga Selimaj. Në minutën e 85-të mesfushori Bekim Dema do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën me një futbollist më pak. Kjo nuk ndikoi në lojën e skuadrës e cila u mbrojt shumë mirë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Cjapi. Përfundimisht barazim 0-0 në Vlorë në mes Flamurtarit dhe Vllaznisë. Kjo e fundit po tregon se mund t’i marrë pikë çdo skuadre, përfshi këtu edhe ato të konsideruara “milionere” si Tirana apo Flamurtari.
www.shkodrasport.com