Opinion nga Mejdan ZHIVANI
Kur të gjithë prisnin që Vllaznia t’i afrohej edhe më shumë vendeve të kreut në renditje, ka ndodhur e kundërta. Barazimi 1-1 me Bylisin në stadiumin “Loro Boriçi” ka bërë që shkodranët pas javës së 10-të të qëndrojnë në vendnumëro.
Përpara këtij takimi kuqeblutë e drejtuar nga Agim Canaj ishte super-favorite, në letër, për të fituar ndaj ballshiotëve. Por kjo nuk ka ndodhur, që për një pjesë të opinionit mund të duket si “dramatike” ky barazim, që realisht “djeg” jo pak. Vërtet ky barazimi “djeg”, pasi një fitore do ta rendiste Vllazninë në vendin e dytë me pikë të barbarta me Teutën, por fakt është se këtë javë kishte përballë një Bylis, që për ironi të fatit, ka një buxhet disa herë më të madh se shkodranët në këtë sezon. Sigurisht që një barazim i tillë, duke patur parasysh elementët në radhët e skuadrës; atë të eksperiencës dhe të ri, nuk të kënaq dhe nuk të shijon aspak në Shkodër. Por siç e kam theksuar edhe në një opinion të një jave më parë, problemet e organizimit me vonesë të Vllaznisë në prag të këtij sezoni, do të shfaqen herë pas here gjatë kësaj kampionati, duke treguar edhe oshilacione në lojë dhe në rezultate. Ndërsa e kundërta mund të thuhet për kundërshtarin e sotëm, Bylisin, i cili është një ekip më i organizuar, pasi ka një bosht skuadre, të cilin nuk e prek prej 2-3 sezonesh dhe ka një staf teknik që e njeh mirë ekipin. Megjithatë, duket se kësaj radhe te skuadra shkodrane pak mund të ketë ndikuar edhe euforia, pas asaj fitoreje të një jave më parë, ndaj Partizanit, në kryeqytet. (Por nuk është hera e parë në traditën e saj, që skuadra shkodrane “penalizohet” në fushën e vet nga euforia. ) Gjithsesi, Vllaznia ndodhet në pozita të favorshme dhe mbi të nuk duhet ushtruar presion. Por nga ana e tyre, edhe vetë futbollistët nuk duhet të jenë të vetëdijshëm se kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë, prandaj në fushën e tyre s’duhet të “falin” më pikë. Kur shikon se si janë ndarë çiftet e tjera të javës së 10-të, vërtet është mëkat që Vllaznia nuk përfitoi, për të marrë maksimumin ndaj Bylisit, por nëse do të pyetej një pjesë e mirë e opnionit përpara fillimit të sezonit, nëse do të kishin një start të tillë kuqeblutë, pak kush do të shprehte entuziazëm apo do të shprehej me optimizëm se Vllaznia në fund të fazës së parë do të ishte në vendet e kreut të renditjes. Le të shërbejë Bylisi si më passim për shkodranët që nuk duhet të kaluar në eufori, pavarësisht se ndaj kujt fitohet, sepse në fund të fundit kjo është Vllaznia e traditës, dhe jo ndonjë ekip tjetër që në Superligë janë më shumë kalimtare se sa elitar.