Brazimi i djeshëm në Kavajë 0-0 me Besën i ka siguruar thuajse me 90 % qëndrimin në Superligë ekipit të Vllaznia. Ndeshja ka qenë shumë e tensionuar për vetë rëndësinë e saj ngaqë edhe vendasve u duhej patjetër fitorja. Kuqeblutë kanë luajtur mirë duke i kushtuar rëndësi më tepër mbrojtjes. Edhe formacioni që kishte hedhur në fushë Haxhiosmanoviç ishte i tillë. Në pjesën e parë Kruja në dy momente ka rrezikuar portën e Bejtes. Në të dytën ndërkohë është Besa ajo që rregullon lojën e saj dhe krijon disa raste të pastra por Vujadinoviç është në një ditë të mirë duke e shpëtuar disa herë portën e tij.
Presioni i Besës u rrit teksa trajneri Mergjyshi hodhi në fushë edhe një sulmues të tretë, shkodranin Guri, me qëllim shënimin me çdo kusht të një goli. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbrojtësi i Vllaznisë Vukçeviç në minutën e 75-të do të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë të kuqin, nga ana e gjyqtarit Pashaj. Kuqeblutë të mbetur me 10 futbollistë mbrohen mirë. Megjithatë problemet nuk mbarojnë këtu. Sykaj i sapofutur në lojë, pas një përplasje me Sefën dëmtohet dhe nuk është në gjendje të vazhdojë më. Futet në lojë Kraja dhe gjërat shkojnë mirë. Vërshëllima e fundit e gjyqtarit hedh përpjetë të gjithë futbollistët, stafin drejtues por edhe të gjithë shkodranët. Superliga thuajse është e siguruar tashmë për ta ndonëse ka mbetur për t’u luajtur edhe 90 minutëshi i fundit me Teutën në “Loro Boriçi”.
Besa- Vllaznia 0-0
Besa: Bejte, Fejzullahu, Hoxha, Jashanica, Ramadanaj (Guri 61′), Muçaj, Haliti, Dita (Mustafa 46′), Berisha, Muriqi, Sefa. Tr: A. Mergjyshi
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Vukçeviç, Beqiri, Baci, Belisha, Tafili, Bardulla (Hajdari 53′), Shtubina (Sykaj 76′), (Kraja 83′), Kruja, Bushiç. Tr: D.Haxhiosmanoviç
Gjyqtarë: B. Pashaj, E. Barushi, R. Avdo (Tiranë)
Kartona të verdhë: Muriqi/ Gocaj, Vujadinoviç, Vukçeviç (2)
Karton i kuq: Vukçeviç ’75
© shkodrasport.com