Vllaznia ndal serinë e rezultateve negative me një barazim 0-0 të arritur pasditen e së dielës në Durrës ndaj Teutës vendase. Pas një 90 minutëshi jo shumë të pëlqyeshëm për asnjërin ekip, në fund, ata kanë qenë të detyruar t’i kënaqen pikës së marrë, me të cilën të dy ekipet ruajnë pozitat aktuale në renditje. Shkodranët e kanë nisur ndeshjen pa disa titullarë në formacion megjithatë kjo nuk ndikoi shumë në fushë. Rastin e parë të ndeshjes e kanë patur vendasit me anë të kapitenit Hoxha që në minutën e 23-të gjuajti me kokë por jashtë. Kundërpërgjigjet Shtubina katër minuta më vonë teksa sërish me kokë ka një mundësi të mirë por të pakonkretizuar. Në fundin e pjesës së parë, do jenë sërish durrsakët që do kenë një rast të mirë për të kaluar në avantazh por jo.

45 minutat e para mbyllen pa gola. E dyta nis mirë në njëfarë mënyrë për shkodranët që shohin më tepër drejt portës së Moçkës por pa raste. I vetmi në këtë pjesë do të ishte ai i Gocajt në minutën e 64-të kur del përpara portierit të Teutës dhe bën më të vështirën duke e dërguar topin mbi traversë. Teuta zgjohet dhe 10 minuta më vonë ka një mundësi por pa rezultat. Minutat 78 dhe 79 do të ishin vendimtare për barazimin e Vllaznisë. Në të parin, është portieri Agoviç që shpëton portën e tij nga një gol i sigurtë dhe 60 sekonda më vonë, vendasit do të shënonin por goli anullohet për pozicion jashtë loje. Pas këtij momenti, nuk do kishte më raste për asnjërën skuadër të cilat duket se kënaqen me barazimin në “Niko Dovana”. Një pikë që ndoshta i bën më shumë punë shkodraneve ngaqë luajtën në transfertë dhe po ashtu, ndalen serinë e humbjeve të tyre dhe nga ana tjetër, do t’u shërbejë edhe për moraln në prag të ndeshjes të së enjtes ndaj Tiranës në “Loro Boriçi”, ndeshje kjo që do të jetë e fundit për ta për vitin 2016.

www.shkodrasport.com