
Skuadra shkodrane ka barazuar 3-3 në miqësoren e luajtur sot pasdite me Tërbunin e Pukës në fushën sportive “Reshit Rusi”.Vllaznia e nisi ndeshjen me portierin Gjokoviç, për të vazhduar me Seminën, Milan Markoviç, Belishën dhe Bardullën në mbrojtje, me Dragoin, Demën, Darko Markoviç e Hajdarin ndërsa në sulm përkrah Rexhës ka luajtur sërish malazezi Deliç. Madje ka qenë ky I fundit që ka zhbllokur rezultatin që në minutën e 7-të me një gjuajtje në hyrje të zonës. Në minutën e 27-të, portieri Gjokoviç ka penguar në mënyrë të parregullt një sulmues të Tërbunit dhe gjyqtari Elidon Qerimaj që ndodhej fare pranë aksionit ka akorduar 11-metërsh. Agastra është I saktë duke barazuar shifrat në 1-1 dhe me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën trajneri Duro do të bënte vetëm katër zëvendësime tek Vllaznia teksa luajti portieri Hallunaj në vend të Gjokoviç, Lekaj në vend të Belishës, Begaj në vend të Bardullës dhe Tafili në vend të Demës. Nga ana tjetër, Tërbuni gjatë kësaj pjese aktivizoi të gjithë formacionin e dytë. Megjithatë janë pukjanët ata që shënuan të parët në këtë pjesë me anë të Grecës në ’55 ndërsa ka barazuar Rexha 12 minuta më vonë me një gjuajtje të saktë nga 18 metra. Vllaznia nuk luan mirë dhe Agastra ka shënuar me kokë në minutën e 72-të duke e kaluar sërish në avantazh skuadrën e tij e cila u duk se do ta fitonte ndeshjen por në fakt nuk do të ndodhte kështu sepse Hajdari në minutën e 90-të me një gjuajtje shumë të bukur nga jashtë zone, do barazonte shifrat.
www.shkodrasport.com