Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, kërkon tri pikët e radhës në përballjen e nesërme ndaj Besëlidhjes. Në javën e katërt do jetë një tjetër test i vështirë për kuqeblutë, por kjo nuk e pengon teknikun që të kërkojë maksimumin në këtë përballje.
Pas sfidës me Dinamon që shihet si rival i shkodranëve, edhe sfida ndaj Besëlidhjes është e tillë, pasi skuadra lezhjane është pretendente për vendin e parë.
Dhe nëse Vllaznia arrin të kalojë me sukses edhe këtë takim, atëherë mund të thuhet se është në rrugën e duhur drejt rikthimit në elitë. Për teknikun Lika është një përballje e vështirë, por jo e pamundur për t’u arritur më e mira.
Këtë tekniku e kërkon jo vetëm në lojë, por për më tepër në rezultate. “Është një ndeshje e fortë përballë një kundërshtari të fortë. Është një takim ku do të kërkojmë maksimumin tonë si në lojë dhe po ashtu edhe në rezultate.
Ne si në çdo takim shkojmë për të arritur maksimumin e pikëve. Ky është objektivi ynë për këtë ndeshje”, u shpreh tekniku.
Gjendja
Ekipi i Vllaznisë është i plotë për këtë takim. Për teknikun gjendja e skuadrës para kësaj sfide me Besëlidhjen është optimale. “Gjendja e skuadrës është optimale para kësaj sfide. Përbërja është e plotë dhe shpresojmë që të gjithë të japin më të mirën”, deklaroi trajneri.
Formacioni
Kreu i pankinës, Lika, siç mësohet do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Pavarësisht se mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël nga formacioni antiBurreli në Kupë, pritet që të jetë pak a shumë ai që ka startuar edhe takimin me Dinamon në kampionat.
Megjithatë, në mbrojtje e mesfushë pritet që të ketë disa lëvizje. Marku do të jetë sërish titullar, e po ashtu Hajdari pritet të startojë nga minuta e parë. Sherri do të rikthehet titullar, ndryshe nga takimi i së mërkurës.
Gjithsesi, pjesa tjetër e ekipit pritet të përbëhet nga Gocaj, Gurishta e Ignat në mbrojtje. Po ashtu në mesin e fushës përkrah Hajdarit pritet të jetë katërshja Lika, Krymi, Tafili e Zogaj.
Në sulm do të jetë sërish braziliani Xhunior. Gjithsesi, sot tekniku Lika do të vendosë pas stërvitjes së sotme për formacionin përfundimtar.