Edhe sot, Vllaznia është stërvitur normalisht në “Loro Boriçi” për sfidën me Partizanin, që do të luhet ditën e nesërme. Shkodranët u kanë dhënë dorën e fundit përgatitjeve, teksa tashmë janë gati për ndeshjen me “demat e kuq”.
Ndërkohë, në këtë sfidë, Vllaznisë i mungojnë tre futbollistë. Kështu, bëhet fjalë për Liridon Latifin, Elvedin Heriç dhe Lorik Boshnjakun, që të tre të dëmtuar. Në pikëpyetje është edhe mbrojtësi i majtë, Esin Hakaj, por klubi shpreson që futbollisti në fjalë të riaftësohet për këtë ndeshje ndaj Partizanit dhe përgatitësi atletik, bullgari Tzokov, ka treguar kujdes të veçantë.
Në këto kushte, trajneri Josa do ta nisë formacionin me Zogoviç në portë, kurse mbrojtja me kapitenin Gurishta, Juriç, Bulatoviç dhe Smajlin në të majtë. Në mesfushë, Marku do të tërhiqet disi pas prej pozicionit që është parë në ndeshjet e fundit dhe do të luajë aty së bashku me Jonuzin dhe Alivodën.
Sulmi do të jetë me Malën dhe Hoxhajn në krahë, ndërsa në majë pritet të rikthehet sulmuesi brazilian, Kaina. Edhe Kristijan Vulaj mund të ketë minuta në këtë ndeshje, por kjo varet nga rrjedha e lojës dhe trajneri Mirel Josa.
Nga ana tjetër, Liridon Latifi do të mungojë deri në sfidën me Erzenin, pasi ka një problem në kavilje dhe po riaftësohet. Ndërkohë, Boshnjaku ka dalë në stërvitje, por ka vijuar programin e tij i veçuar nga pjesa tjetër e grupit, pasi nuk është gati akoma për lojë. Gjithsesi, sytë e të gjithëve janë tek gjendja e Latifit dhe e Boshnjakut, pasi kosovarët konsiderohen si dy futbollistë shumë të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Mirel Josa. /Maringlen ZHIVANI/
Vllaznia (4-3-3): Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli (Hakaj), Jonuzi, Alivoda, Marku, Mala, Hoxhaj, Kaina Tr: Mirel Josa