Kishte ditë që përflitej por vetëm paraditen e sotme është bërë realitet. Mesfushori 25 vjeçar shkodran Arsid Kruja pas një viti aktivizimi tek Teuta, është rikthyer sërish tek Vllaznia.

Ai ka gjetur akordin me administratorin Lici dhe madje pas firmës në kontratë, i është bashkuar me njëherë ekipit në stërvitje. Kjo gjë bëhet e ditur nga vetë klubi shkodran përmes faqes së tij zyrtare:

KF Vllaznia bën të ditur se që prej ditës së sotme zyrtarisht pjesë e saj është edhe futbollisti shkodran Arsid Kruja. Administratori i klubit z. Suad Lici ka arritur akordin me lojtarin në fjalë i cili së fundmi për një vit ka qenë pjesë e Teutës, për ta rikthyer sërish tek ekipi kuqeblu.

Marrëveshja dypalëshe është arritur për një kontratë 18 mujore dhe gjithçka është mbyllur ashtu si duhet me hedhjen e firmës në të. Futbollisti Arsid Kruja nuk ka humbur kohë dhe menjëherë paraditen e sotme është vënë në dispozicion të trajnerit Lika për të zhvilluar seancën e parë stërvitore me ekipin.

KF Vllaznia i uron suksese futbollistit të sapoardhur dhe sëbashku të bëjmë më të mirën për ta çuar skuadrën tonë aty ku i takon të jetë.
Mirëserdhe në shtëpi, Arsid Kruja!