Skuadra shkodrane ka arritur një fitore me shumë vlera në takimin e pasdites së sotme, atë të zhvilluar në Laç ndaj skuadrës vendase. Në fund të 90 minutave është fiksuar rezultati 2-0 për kuqeblutë të cilët kanë kaluar tani Tiranën në renditje. Ndeshja ka qenë me shumë rivalitet. Ashtu siç kishte deklaruar një ditë përpara trajneri Haxhiosmanoviç, Vllaznia kishte shkuar në Laç me objektiv të qartë për marrjen e fitores. Që në minutën e 9-të ajo ka kaluar në avantazh me anë të një goli shumë të bukur të Krujës. Ai ka marrë një pas nga e djathta dhe pasi e ka ndalur topin, nga një distancë prej 20 metrash ka goditur fort me të majtën dhe ai ka përfunduar në trekëndëshin e portës së Bakajt. Gëzim në kampin shkodran. Pesë minuta më vonë është Bushiç që fare pranë portës humbet një rast të pastër për të dyfishuar rezultatin. Në minutën e 18-të, Çela përplaset me portierin Vujadinoviç i cili gjatë rënies në tokë me kokë, humbet ndjenjat. Stafi mjekësor nxiton dhe pas shumë përpjekjesh ai normalizohet duke vazhduar lojën. Në minutën e 27-të, do ishte rasti i Shtubinës për të shënuar. Ai merr një top që nga gjysmëfusha e tij, bën një korridor me Hajdarin, kalon një mbrojtës, pastaj edhe dy të tjerë dhe përballë Bakajt, e dërgon topin në rrjetë, 2-0. Fitorja tashmë është një realitet. Laçi nuk pajtohet me këtë rezultat. Hidhet në sulm por Vucaj markohet mirë nga Tafili e Belisha. Po ashtu edhe futbollistët e tjerë kuqeblu janë në një ditë të mirë. Spikat Vujadinoviç që mund të konsiderohet heroi i kuqebluve në këtë takim me 3-4 pritje të sigurta për gol. Në pjesën e dytë në fakt Vllaznia duhej të kishte shënuar edhe gola të tjerë sepse Bushiç dy herë dhe Hajdari kanë raste të pastra. Megjithatë gërat nuk ndryshojnë dhe Vllaznia fiton 2-0 duke u ngjitur kështu në kuotën e 29 pikëve, tashmë në vendin e tetë në renditje. Një fitore më shumë sesa e rëndësishme për pikët, është edhe për të rritur moralin e kuqebluve që kishin plot 11 ndeshje pa fituar.
Laçi- Vllaznia 0-2
Laçi: Bakaj, Buljan, Çela, Sefgjinaj, Ofojeh (Malo 77′), Zefi, Veliaj, Vucaj, Teqja, Kehinde (Tanushi 30′), Brkiç (Adeniyi 65′). Tr: S. Nica
Vllaznia: Vujadinoviç, Gocaj, Sykaj, Beqiri, Baci, Belisha, Tafili (Dema ’90), Kruja, Shtubina, Hajdari, Bushiç. Tr: D. Haxhiosmanoviç
Shënues: Kruja ‘9, Shtubina 27’
Gjyqtarë: B.Pashaj (Tiranë)
Kartona të verdhë: Tanushi/ Kruja

© shkodrasport.com