Fundjavën që lamë pas janë luajtur ndeshjet e rradhës të kampionateve të Ligës Amatore për Zonën e Veriut, në të cilin marrin pjesë edhe ekipet e Akademisë Vllaznisë. Rezultatet e arritura prej tyre kanë qenë shumë pozitive. Kështu, ekipi U16 që drejtohet nga trajnerët Fatjon Hasanaj dhe Ferid Borshi e që merr pjesë në kampionatin U17, ka luajtur përballë ekipit “Don Bosko” dhe është mundur me rezultatin 0-3.
Në kampionatin e grupmoshës U15 ndërkohë marrin pjesë dy ekipe të Akademisë Vllaznia, ai U15 që drejtohet nga trajnerët Astrit Prençi dhe Ylad Pirani dhe në kampionat luan me emrin “Vllaznia U15-A” dhe ai U14 që drejtohet nga trajneri Denis Zmijani dhe luan me emrin “Vllaznia U15-B”.
Të dy këto ekipe i kanë fituar ndeshjet e kësaj jave. Kështu, “Vllaznia U15-A” është ndeshur me ekipin “Scutari” dhe ka fituar me rezultatin 3-1, ku autorë të golave për ekipin tonë ishin Albion Kurbasha (2) dhe Arsid Talani. Sakaq, “Vllaznia U15-B” është ndeshur me “The Door” dhe ka fituar me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Klajti Halili.
Edhe në kampionatin e grupmoshës U13 marrin pjesë dy ekipe të Akademisë Vllaznia, ai U13 që drejtohet nga trajneri Altin Xhahysa dhe në kampionat luan me emrin “Vllaznia U13-A” dhe ai U12 që drejtohet nga trajneri Nefail Zhejani dhe luan me emrin “Vllaznia U13-B”. Të dy këto ekipe i kanë fituar ndeshjet e kësaj jave. Kështu, “Vllaznia U13-A” ka fituar 3-2 me “Juban Danja” dhe të tre golat janë shënuar nga i njëjti futbollist: Riad Fangaj.
Ndërsa “Vllaznia U13-B” është ndeshur me “The Door” dhe ka fituar me rezultatin 3-0 dhe autorë të golave kanë qenë Aldo Medha (2) dhe Adnand Lazri.
Nga ana tjetër, ekipi U11 i drejtuar nga trajneri Ivo Shestani ka luajtur përballë “The Door” dhe është ndarë në barazim 2-2. Golat për ekipin kuqeblu janë shënuar nga futbollistët Klaudio Preka dhe Angjelo Shllaku.