Paraditen e sotme, në orën 11.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” do të luhet ndeshja miqësore në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Besëlidhjes. Në fakt ishte programuar që të ishte një ndeshje kontrolli në mes grupit të lojtarëve të ekipit shkodran, por pasditen e djeshme ka mbërritur konfirmimi nga ana e lezhjanëve për gatishmërinë e tyre për ta luajtur këtë miqësore.
Ajo do t’I shërbejë trajnerit të Vllaznisë Rudi Vata për të parë edhe njëherë tjetër gjendjen e skuadrës, të shumë prej futbollistëve të rinj që ka në dispozicion dhe të skemave të lojës që mund të aplikojë. Ende nuk dihet nëse edhe në fundjavë do ketë ndonjë miqësore tjetër ngaqë trajneri Vata po kërkon të zhvillojë sa më shumë lojëra me ekipin e tij në mënyrë që të krijojë një ide më të qartë. Për t’u veçuar është fakti që drejtuesit e klubit shkodran I kanë bërë ftesë disa prej specialistëve të futbollit shkodran si Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Selami Dani, Nikoll Gjergji, Ferid Borshi, Fatmir Paçrami etj. Ideja është për të krijuar një këshill trajnerësh që t’I qëndrojnë afër stafit drejtues për të marrë mendime e sugjerime prej tij.