Ulja e moshës mesatare të skuadrës dhe dhënia e hapësirës për elementin e ri ka qenë një fakt që ka rënë në sy te Vllaznia këtë sezon. Shkodranët iu kanë besuar më shumë se në sezonet e shkuara lojtarëve në moshë të re. Madje nga ata që janë aktivizuar, si Delaj apo Dodaj, kanë lënë përshtypje shumë pozitive.
Por një vëzhgim i “Panorama Sport” na tregon se kuqeblutë kanë një formacion të tërë me lojtarë U-23 në ekip, te të cilët mund të ndërtosh Vllazninë e së ardhmes apo edhe të përfitosh për t’i shitur në kampionate më të forta. Le të nisim nga porta, ku një element i perspektivës është Aron Jukaj.
Gardiani 19-vjeçar e ka bërë debutimin e tij në një ndeshje kundër Skënderbeut sezonin e shkuar. Në mbrojte elementë si Brahimi (19), Pusi (23), Spahija (21) dhe Selmani (18) mund të jenë një garanci e së ardhmes. Të mos përjashtojmë edhe futbollistë të tjerë jo shkodranë si Bajrami, i cili është 23 vjeç apo Podrimcaku vetëm 22 vjeç.
Në mesfushë Zaganjori (19), Maliqi (20) dhe Shimaj (19) janë elementë të dalë rishtazi nga akademia Vllaznia, ku me moshat kanë qenë ndër më të spikaturit në vend. Në sulm tashmë mund të quhen të konfirmuar dyshja Delaj (21) dhe Dodaj (19), të cilët pritet të jenë akoma më shumë protagonistë në të ardhmen. E ndërsa shansin e tij po pret edhe Tafili (19), i cili po ashtu është afruar në merkaton e fundit verore në skuadër. Në këtë mënyrë Vllaznia ka një ekip të dubluar në çdo rol dhe një skuadër U-23 të mbushur me shkodranë, që presin shansin për të treguar vlerat e tyre në çdo moment./panorama-sport/