Pavarësisht se kampionati kroat i futbollit ka nisur, mesfushori shkodran Erald Çinari nuk ka mundur të luajë dot me ekipin e Istras që është i huazuar.

Arsyeja është se Klubi i Futbollit Vllaznia nuk i ka lëshuar ende lejen e kalimit. Kjo gjë e bën të pamundur federimin e këtij lojtari me klubin e tij të ri.

Siç dihet, gjatë muajit korrik u përfol për një kalim të këtij futbollisti tek klubi spanjoll Deportivo Alavesh dhe madje vetë Çinari deklaroi në media se kishte firmosur për të.

Por duket se gjërat nuk janë krejt të qarta. Fillimisht u deklarua se klubi shkodran kishte rënë dakord për transferimin e këtij futbollisti për shumën e 20 mijë eurove por lajmet e fundit që dalin prej tij bëjnë fjalë për tjetër gjë.

Vllaznia nuk është dakord me një shumë të tillë dhe për më tepër kërkon që të respektohen të gjitha klauzolat e kontratës që lojtari ka të firmosur me klubin.

Në këto aspekte, priten zhvillime të tjera në ditët e ardhshme për të mësuar për destinacionin e vërtetë të Erald Çinarit.

21 vjeçari pasi ka firmosur me Alavesh, është huazuar për një sezon në Kroaci tek ekipi Istras me të cilin edhe është prezantuar dhe ishte bërë gati për të luajtur që në javën e parë të kampionatit.

Kjo nuk ka ndodhur dhe me shumë siguri nuk do të jetë në fushë as në javën e dytë e pse jo edhe më shumë. Mbase situata që ka kaluar klubi shkodran së fundmi duke mos patur administrator, ka bërë që në këtë transfertë të mos jenë të qarta shumë gjëra por me ardhjen e administratorit të ri Suad Lici, tashmë gjërat janë të qarta.

Klubi spanjoll është sinjalizuar për kërkesat e Vllaznisë dhe pritet përgjigja e tij. Çinarit në këtë mënyrë do t’i duhet të presë edhe pak ditë, duke shpresuar që ato të mos jenë shumë, për ta parë veten sërish në fushën e lojës.

www.shkodrasport.com