Alarmi I dhënë nga trajneri Canaj pas miqësores me Dinamon për domosdoshërinë e ndërhyrjes në merkato, ka rënë menjëherë në veshët e drejtuesve të klubit. Për pasojë, vetëm disa orë më vonë drejtori sportiv I klubit Vllaznia Armir Grima ka konfirmuar arritjen e marëveshjeve me dy futbollistë shumë cilësorëë. Bëhet fjalë për portierin Miroslav Vujadinoviç dhe mbrojtësin Blazhe Rajoviç. Akordi me ta është arritur ditën e djeshme dhe palët kanë rënë dakord që të firmosen kontratat njëvjeçare. Ndërkohë, nga e hëna pasdite, të dy këta futbollistë do nisin stërvitjen me ekipin kuqeblu. Në këtë mënyrë, mund të thuhet me të vërtetë se Vllaznia ka bërë një “boom” në merkato e kësaj vere.

Takimi
Ishte paralajmëruar që ditën e djeshme do mbërrinte në Shkodër portieri Vujadinoviç për të mbyllur përfundimisht marëveshjen me drejtuesit e klubit Vllaznia. Por bashkë me të ka qenë edhe mbrojtësi Rajoviç. Kjo ka qenë një surprizë e bukur për ata që e kanë marrë vesh por nuk ka qenë e tillë për drejtuesit shkodranë. Ata kanë insistuar edhe me ish- mbrojtësin e Flamurtarit në dy sezonet e fundit dhe po ashtu edhe me të është arritur akordi. Në Shkodër I ka pritur drejtori sportiv Grima, një ish- koleg I tyre në fushën e futbollit. Bisedimet kanë qenë shumë miqësore dhe në fund palët kanë shtrënguar duart. Lajmin për arritjen e akordit e ka bërë të ditur vetë zyrtari I klubit kuqeblu që për “Gazeta e Sportit” është shprehur: “Kishim kohë që ishim në bisedime sidomos me Vujadinoviç I cili sapo mbaroi aventurën e Kupave të Europës me Mlladost ku ka qenë I angazhuar, pranoi ofertën tonë për të luajtur sezonin e ardhshëm në Shkodër. Po ashtu, shfrytëzuar edhe momentin që Rajoviç u la I lirë nga Flamurtari dhe do e veshim edhe atë kuqeblu për sezonin e ardhshëm. Besoj se kemi bërë dy lëvizje të rëndësishme në merkato sepse të dy këta lojtarë në periudhën që kanë luajtur me Vllazninë kanë lënë përshtypje të mirë tek të gjithë, në veçanti tek tifozët për performancën e tyre në fushën e lojës. Të dy këta futbollistë të hënën pasdite do jenë në stërvitje me ekipin tonë”.
Lëvizjet e tjera
Marrja e Vujadinoviç dhe Rajoviç ndërkohë nuk do të thotë se Vllaznia I ka dhënë fund merkatos. Përkundrazi, në ditët e ardhshme do të shihet mundësia që të vijnë edhe dy futbollistë të tjerë cilësorë. Këtë gjë e ka bërë të ditur drejtori sportiv Grima që për gazetën tonë është shprehur: “Me marrjen e Vujadinoviç porta tashmë është e siguruar plotësisht. Edhe me marrjen e Rajoviç besoj se mbrojtja do jetë në lartësinë e duhur. Më shumë se gjithçka tjetër tashmë do kemi nevojë për një sulmues dhe për këtë jemi në tratativa me disa prej tyre. Por jo vetëm kaq. Po synojmë edhe marrjen e një mesfushori të qendrës. Nëse I arrijmë edhe këto, atëherë gjërat do jenë në rregull dhe Vllaznia do jetë një skuadër dinjitoze në sezonin e ri”. Ai nuk e ka bërë të qartë se kush mund të jenë emrat e kërkuar për këto dy pozicione. E rëndësishme është që Vllaznia e bëri “boom”-in e parë në merkato. Nëse do të ketë edhe një të dytë, po aq të fortë, kjo skuadër mund të konsiderohet një nga pretendentet e sezonit të ri futbollistik. Deri atëherë, duhet pritur. Kuqeblutë gjithsesi kanë filluar të lëvizin në merkato dhe ky është një tregues pozitiv I ndryshimeve që do të pësojë kjo skuadër.
Gjergj KOLA