Pas Vujadinoviç, vjen edhe malazezi tjetër Rajoviç. Në ardhje është edhe kroati Bushiç ndërkohë që në stërvitje prej dy ditësh me kuqeblutë është duke u stërvitur edhe malazezi tjetër Mugosha. Kësisoj, Vllaznia duket se është duke u përgatitur të bëjë një “boom” në ditët e fundit të merkatos së verës. Paraditen e djeshme gjithçka u duk se do përfundonte pa ndonjë lëvizje të madhe në merkato. Edhe kroati Bushiç që pritej të vinte, ka kërkuar një kontratë shumë të majme financiare dhe shkodranët kanë hequr dorë menjëherë prej tij. Por në orët e mesditës gjërat kanë ndryshuar. I pari që ka telefonuar në adresë të drejtorit sportiv Grima ka qenë mbrojtësi Blazhe Rajoviç.
Ai I ka kërkuar atij të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri dhe ish- shoku I tij I skuadrës tre sezone më parë nuk ka qenë kundër. Përveç tij mund të vijnë edhe të tjerë.
Rajoviç
Në fakt nuk është një lajm I ri. Blazhe Rajoviç edhe pak kohë më parë ka qenë në Shkodër bashkë me portierin Vujadinoviç dhe I dhanë fjalën Grimës se do të firmosnin për Vllazninë. Portieri u kthye pak ditë më vonë pasi nuk arriti të firmoste në Poloni ndërsa mbrojtësi tentoi edhe njëherë të firmoste tek Flamurtari por nuk u kënaq nga ajo çka I ofruan vlonjatët. Për rrjedhojë, tashmë ka dëshirë të kthehet e të firmosë me kuqeblutë. Pasditen e djeshme ai ka qenë në Shkodër dhe ka zhvilluar seancën e parë me Vllazninë. Sot me të mund të mbyllet kontrata dhe ky do të ishte një përforcim shumë I rëndësishëm për repartin e mbrojtjes.
Mugosha
Në stërvitje me ekipin e Vllaznisë prej dy ditësh ndodhet edhe një mesfushor po nga Mali I Zi. Bëhet fjalë për Marko Mugoshën, 28 vjeç që në karrierën e tij ka luajtur kryesisht me ekipin e Buduçnostit por edhe në kampionatin serb. Përshtypjet e para duken positive për të megjithatë ndoshta për të përcaktuar përfundimisht për fatin e tij, duhet pritur vendimi përfundimtar I trajnerit Agim Canaj. Ai ndoshta do të kërkojë ta shohë në stërvitje edhe për një apo dy ditë të tjera dhe në fund do të vendoset. Dështimi I marrjes së Vucajt ka krijuar domosdoshërinë e gjetjes së një organizatori tjetër dhe Mugosha mund të jetë ndoshta zëvendësuesi I tij.
Bushiç
Paraditen e djeshme duhej të ishte në Shkodër dhe pasdite të zhvillonte seancën e parë stërvitore me ekipin e Vllaznisë. Megjithatë nuk ka ndodhur kështu. Përmes menaxherit të tij, sulmuesi kroat Tomislav Bushiç ka bërë të ditur pretendimet financiare të cilat kanë qenë të papërballueshme nga klubi shkodran. Në kushte të tilla, ai dhe menaxheri janë lajmëruar se bisedimet me ato kushte mbylleshin. Kur dukej se kjo pistë ra poshtë përfundimisht, pasdite ka ardhur një telefonatë nga ana e lojtarit në adresë të drejtorit Grima të cilit I bënte të ditur se pranonte të vinte me kushtet që kishte klubi. Për këtë arsye, Bushiç ka mbërritur mbrëmë vonë në mesnatë në Shkodër dhe sot do të zhvillojë seancën e parë stërvitor. Njëkohësisht me shumë mundësi edhe do të firmosë kontratën e re. kjo do të bënte që Vllaznia kësisoj ta plotësonte edhe repartin e sulmit. Në këtë mënyrë, skuadra shkodrane duket se ka bërë disa lëvizje shumë të goditura në merkaton e orëve të fundit.
Gjergj KOLA