Pritej që sot ekipi i Vllaznisë t’i rikthehej sërish stërvitjes por nuk ka ndodhur kështu. Trajneri Armando Cungu dhe ndihmësi i tij Aleksandar Maxhar kanë patur një angazhim gjatë ditës së sotme e për këtë arsye, e kanë pushim skuadrën deri ditën e hënë. Në këtë mënyrë, futbollistët kuqeblu marrin kësisoj njëfarë “shpërblimi” nga trajnerët e tyre për t’i lënë edhe pak më shumë pushim futbollistët tani pas përfundimit të kampionatit. Por jo për shumë kohë. Në fillim të javës së ardhshme skuadra do t’i rikthehet sërish stërvitjes teksa do të zhvillojë nga një seancë çdo dy ditë dhe kështu do të veprohet deri në fund të muajit maj, atëherë kur dhe i përfundojnë kontratat thuajse shumicës së futbollistëve. Pas datës 31 maj, pritet që ekipi të lihet pushim për një periudhë dyjavore dhe pastaj në mesin e qershorit do të rinisë sërish puna, por këtë herë vetëm me futbollistët që do të jenë në planet e stafit për sezonin e ri. Gjatë kësaj periudhe do të saktësohen shumë gjëra edhe sa i takon të ardhmes së skuadrës, stafit teknik dhe futbollistëve. Pritet që të ketë një analizë të zgjeruar të gjithë asaj çfarë ka ndodhur në kampionatin që sapo përfundoi dhe çfarë është më e rëndësishmja, se çfarë do të ndodhë në vazhdimësi.

© shkodrasport.com