Pavarësisht interesimit të madh në opinionin sportiv shkodran në lidhje me atë se çfarë do të ndodhë me Vllazninë e sezonit të ri, deri më tani asnjë lëvizje nuk është bërë.
Madje kjo situatë pritet të vazhdojë deri në fund të muajit qershor. Arsyeja është shumë e thjeshtë.
Drejtuesit e lartë të klubit mendojnë të bëjnë një reformë në të gjitha strukturat drejtuese por për ta bërë këtë gjë duhet pikësëpari të miratohet lëvizja e parë, ajo e largimit të Këshillit Mbikëqyrës aktual.
Kjo gjë pritet të ndodhë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të klubit që është thirrur nga ana e administratorit Gjyrezi prej disa ditësh.
Në këtë mbledhje, përveç miratimit të pasqyrave financiare të vitit të kaluar, do të ketë shumë diskutime edhe në lidhje me të ardhmen e Vllaznisë.
Gjyrezi vërtetë e ka thirrur këtë mbledhje referuar statutit të shoqërisë aksionere, por nuk ka ndër mend të vazhdojë më punën në krye të klubit.
Zëvendësimin e tij e ka për detyrë Këshilli Mbikëqyrës. Ky aktuali vështirë se do ta bëjë këtë gjë dhe në fazën kur po flitet për zëvendësimin e tyre, duhet pritur të ndodhë kjo.
Vetëm pasi të jetë zyrtarizuar Këshilli do të nisë pastaj puna. Fillimisht me përzgjedhjen e administratorit të ri dhe prej tij pastaj do të vijnë edhe drejtori sportiv dhe po ashtu edhe trajneri i ri i kuqebluve.
E gjithë kjo procedurë shpresohet që të mbyllet brenda muajit qershor në mënyrë që në ditët e para të korrikut skuadra të dalë në stërvitje.
Natyrisht që nuk është vonë sepse kampionati i kategorisë së parë nis në javën e parë të shtatorit dhe ka kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur por e rëndësishme është që sa më parë të hidhen piketat për sezonin e ri futbollistik sepse Vllaznia e ka për detyrë ringjitjen në Superligë.
www.shkodrasport.com