Kampionatet kombëtare të volejbollit si për meshkuj dhe për femra, janë në dyshim të nisin për sezonin e ri sportiv. Kjo sepse 11 klube të vendit po kundërshtojnë një vendim të marrë nga Federata Shqiptare e Volejbollit në mbledhjen e kryesisë së saj një muaj më parë. Ky vendim thotë se të gjithë klubet, për të marrë pjesë në sezonin e ri duhet të paguajnë 12-fish më shumë taksa nga një vit më parë. Bëhet fjalë për taksën e pjesmarrjes, atë të federimit dhe disa të tjerë që çdo klub paguan në Federatë.

Natyrisht që ky vendim nuk ka gjetur miratimin e klubeve të cilët ditët e fundit kanë hartuar një peticion firmosur nga 11 klube, mes të cilëve edhe nga Vllaznia, pikërisht prej shefit të saj Mark Kroqi. Në këtë peticion drejtuar Ministrisë përkatëse që mbulon sportin, kërkohet shfuqizimi i këtij vendimi se ndryshe ato nuk mund të marrin pjesë në kampionat ngaqë nuk i kanë financat e duhura. Në pikat e këtij peticioni shpjegohet edhe arsyeja e kundërshtimit sepse shumë prej klubeve financohet nga Bashkitë e qyteteve dhe ato tashmë e kanë miratuar një buxhet dhe ai nuk mund të ndryshojë në mes të vitit. Përpos kësaj, rritja 12-fish e taksave është tërësisht e papranushme edhe për situatën ekonomike që po kalojnë klubet tona sportive. Në rrethana  të tilla, vihet seriozisht në dyshim nisja e kampionateve për sezonin e ri sportiv. Klubi Vllaznia duket i vendosur në kërkesat e tij dhe nëse ky vendim nuk ndryshon, ai mund të mos marrë pjesë në kampionat, as me ekipin e meshkujve dhe as me atë të femrave.

www.shkodrasport.com