Këto ditë të fillimit të qershorit duken shumë të ‘nxehta’ për ekipin e Vllaznisë, shkodranët që zyrtarizuan trajnerin e ri që do jetë Migen Memelli për sezonin e ri, janë edhe kokë e këmbë në merkato. Kjo jo vetëm me afrimet, por edhe me largimet, ku së fundmi janë konfirmuar largimet e Gurishtes, Latifit, Hoxhajt, Kainas dhe Shehit.
Ndërkohë një emër për të cilin është diskutuar shumë në ditët e fundit është edhe ai i Arsid Krujes. Mesfushori dhe klubi duket se ende janë në udhëkryq dhe nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për vijimin e bashkëpunimit. Por nga sa mëson Shkodra Sport gjithçka do vendoset brenda ditës së sotme ose nesërme.
Lojtari polivalent dhe klubi do kenë diskutimet përfundimtare në këto dy ditë ku do vendoset gjithçka për të ardhmen e 30-vjeçarit. Kruja, ka qenë disa herë i rëndësishëm për skuadrën në sezonet e fundit, ku madje ka sakrifikuar shpesh duke luajtur edhe jashtë pozicionit të tij e duke qëndruar gjithmonë në gatishmëri për ekipin.
Për të interesi nuk mungon as nga ekipet më të mira në vend, ku Tirana ka qenë ajo që ka kërkuar më shumë informacione për lojtarin. Por me siguri për të ardhmen e numrit 14-të do mësohet shumë shpejt në këto, që duken vendimtare për një vendim përfundimtar.
Endri ÇINARI