Nga Endri ÇINARI
Vllaznia e nisi me një fitore vitin 2025, ku shkodranët mposhtë mbrëmë në shifrat 2-1 Tiranën. Sukses që erdhi me përmbysje për të besuarit e Brdariç, që pjesën e parë e mbyllën në disavantazh. Kjo falë një goli të shënuar nga Haxhiu në minutën e 12-të për kryeqytetasit. Por besimi i kuqebluve për të përmbysur shifrat u pa qartë që në startin e pjesës së dytë.
Shkodranët hynë me një “marsh” tjetër në lojë në 45 minutat e dyta të lojës. Ku barazuan shumë shpejt me Balajn e do ishte sërish bomberi që me dopietën e tij personale do jepte 3 pikët e plota Vllaznisë.
Këto dy gola konfirmuan edhe njëherë potencialin sulmues që ekipi ka shfaqur këtë sezon. Me dy golat ndaj Tiranës, Vllaznia ngjitet në majën e skuadrave që kanë shënuar më shumë.
Kuqeblutë pas 20 javësh e kanë gjetur rrugën e rrjetës plot 31 herë. Duke qenë në këtë statistikë të barabartë me Dinamon, me “nëndetësen” që po ashtu me golin në humbjen 2-1 ndaj Bylis ka shënuar 31 herë. Pas kësaj dysheje vjen Partizani me 25 gola të shënuar, por një ndeshje më pak të luajtur. Që duket e pamundur ta barazojë një statistikë të tillë në 90 minutëshin e munguar.
Po ashtu Vllaznia “rivalitetin” me Dinamon nuk e ka vetëm tek golat e shënuar, por edhe pikët. Tashmë të dy skuadrat ndodhen në kuotën e 34 pikëve të grumbulluara pas 20 javësh. Duke lënë pas momentalisht Partizanin me 33 pikë. E ndërsa blutë qëndrojnë para kuqebluve në renditje, për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte./www.shkodrasport.com/