Vllaznia ka lënë prej tre ditesh qytetin e Shkodrës ku u stërvit për dy javë me radhë duke u spostuar në Austri ku ka filluar menjëherë nga përgatitjet në kuadrin e ndeshjeVE të Conferencë League, ku sfida e parë turit të dytë do të luhet me datë 21 korrik në stadiumin “Loro Boriçi” duke pasur përballë skuadrën rumune, Universitatea e Krajovës.

Nga sa bëhet e ditur, kuqeblutë janë sistemuar në kampingun e Pressbaum, 30 km larg Vjenës, vendi ku do të konsumojnë të gjitha seancat deri me datë 13 korrik kur është planifikuar edhe kthimi në Shkodër. Periudhë kjo që tekniku Mirel Josa do ta shfrytëzojë me zhvillimin e dy seancave stërvitore në ditë, ku falë kushteve optimale që afron kampingu, skuadra pritet të marrë formën e duhur sportive për të qënë gati në startin e ndeshjeve europiane, si dhe më pas edhe për kampionati shqiptar që fillon në muajin gusht.

Ndërkohë, sa i përket kontigjentit të skuadrës ka një lajm të mirë për kuqeblutë, pasi burime zyrtare nga Klubi i Futbollit Vllaznia, bëjnë me dije se sulmuesi kosovar Liridon Latifi, pritet të bashkohet me skuadrën në Austri ditën e diele. Me këtë rast, drejtuesit kuqeblu gjejmë rastin të sqarojnë edhe disa informacione dhe komente jo të sakta që kanë qarkulluar ditët e fundit në opinionin sportive rreth Latifit.

Mungesa e tij në procesin stërvitor gjatë ditëve të fundit ka lënë shteg për interpretime nga më të ndryshmet, deri aty sa në opinionin sportiv shkodran e më gjërë ka pasur edhe zëra të tillë që kosovari është drejt largimit nga Vllaznia. “Nuk ka asnjë çështje “Latifi”. Futbollisti ka qënë prej disa ditësh i prekur nga Covid 19, ndaj sipas rregullave shëndetësore është dashur që ai të karantinohet duke qëndruar i ngujuar në banesën e tij, në Prishtinë.

Krahas mjekëve kosovare, një kujdes special për rikuperimin e tij ka dhënë edhe stafi mjekësor i Vllaznisë, i cili i është gjendur vazhdimisht pranë futbollistit me shërbimet në shtëpinë e tij. Fatmirësisht, gjendja e tij tashmë është drejt përmirësimit, dhe ju garantoj se ditën e diele, Latifi do t’i bashkohet skuadrës në kampingun stërvitor të Austrisë”, theksojnë drejtuesit e Vllaznisë./rtsh-shkodra/