Trajneri Shpëtim Duro javën që shkoi ka deklaruar se Vllaznia mund të ishte në merkato edhe për dy futbollistë të tjerë por drejtuesit e klubit e kanë ngushtuar rrethin në vetëm një. Burime pranë drejtuesve shkodranë bëjnë të ditur se ata po kërkojnë të bëjnë më të mirën në merkato për gjetjen edhe të një sulmuesi tjetër cilësor ndërsa për mesfushorin nuk ka vend. Po kush do jetë sulmuesi? Kjo ende nuk dihet. Përpjekjet janë të shumta për të gjetur lojtarin e duhur.

Emrat më të fundit që përmenden janë ato të Martinenën dhe të Dragiçeviç. Këtë të fundit drejtuesit e Vllazninë e kanë kontaktuar por ka dy probleme për të. Nuk dihet forma fizike ngaqë ka shumë muaj pa u aktivizuar që pas momentit të largimit nga skuadra e Laçit dhe e dyta, mënyra e largimit të tij nga Shqipëria ka lënë shumë për të dëshiruar dhe presidenti laçian Laska nuk ka ndër mend ta lërë krejt kollaj të kthehet të luajë sërish në vendin tonë. Në kushte të tilla, shanset janë shumë të pakta që ai të vishet kuqeblu në sezonin e ri futbollistik. Ndërkohë për Martinenën ende nuk ka ndonjë lajm nga ai. Sulmuesi argjentinas ndodhet në vendin e tij por mundësia e kontaktit me të për momentin është e pamundur. Ai është I lirshëm për të ardhur e për të luajtur tek Vllaznia nëse palët bien e dakord nga ana financiare. Megjithatë për momentin askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë. E sigurtë është që Vllaznia e do edhe një sulmues  cilësor. Problemet që ka shfaqur skuadra në manovrën sulmuese në ndeshjet miqësore të luajtura sëfundi, e bëjnë të domosdoshme marrjen e tij. Me shumë mundësi, Vllaznia është e gatshme të sakrifikojë jo pak edhe nga ana financiare për një lojtar të tillë që do t’I zgjidhet punë në sulm.
Mesfushori. Pas miqësores me Adës e cila u luajt të mërkurën e kaluar në Shkodër dhe që u mbyll në barazim 0-0, trajneri Duro deklaroi se skuadrës I mungon një sulmues dhe ndoshta edhe një mesfushor. Sipas pankinës kuqeblu, nëse vinin këta dy lojtarë, skuadra do “blindohej”. Ideja mund të ketë qenë për marrjen e Klodian Duros për të ciline dhe drejtuesit e klubit ishin të gatshëm të paguanin një shumë të madhe financiare. Por elbasanasi tre ditë më parë I ka kthyer përgjigje negative shkodranëve. Në mungesë të ardhjes së Duros, Vllaznia nuk ka ndër mend të marrë mesfushor tjetër. Kjo tashmë është e qartë për të gjithë pjestarët  e stafit drejtues. Për më tepër që nuk ka edhe ndonjë lojtar në treg që mund të merrte përsipër zgjidhjen e të gjitha situatave në skuadër.
Klubi. Buxheti paraprak tashmë është përcaktuar. Në këtë buxhet është e qartë se do harxhohen paratë edhe për blerjen e një sulmuesi të vetëm. Drejtuesit e klubit mendojnë se edhe një sulmues mjafton. Në fakt llogaritë janë bërë që Vllaznia të blinte tetë lojtarë në merkaton e kësaj vere dhe ky plan është realizuar. I nënti ndoshta është I tepërt megjithatë ka lindur se nevojë e domosdoshme dhe prandaj janë gati të sakrifikojnë. Prandaj dhe është shtuar në buxhet shtesa për një sulmues të vetëm. Për mesfushorin nuk ka më vend për blerje.
Gjergj KOLA