Duhej të ishte edhe një përforcim për të plotësuar tetëshen e kërkuar nga trajneri Duro, por ndoshta mund të jenë edhe dy. Përveç një sulmuesi, aq shumë të kërkuar, Vllaznisë mund t’I shtohet edhe një mesfushor tjetër. Kjo nuk është shumë e sigurtë megjithatë është një opsion. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën vetë trajneri që në lidhje me merkaton, ka thënë: “Me atë çfarë kemi zhvilluar deri tani në merkato jemi shumë të kënaqur. Na mbetet të bëjmë edhe një apo dy lëvizje të fundit për t’u plotësuar tërësisht. Me përjashtim të një sulmuesi, ndoshta mund të vijë edhe një mesfushor tjetër”. Vetëm kaq ka thënë Shpëtim Duro megjithatë tashmë gjërat janë të qarta.

Vllaznia nuk do shpenzojë shuma stratosferike për të blerë lojtarë të shtrenjtë për kampionatin shqiptar por me aq para ndoshta merr dy futbollistë. Përderisa lojtarë të tipit “Pejiç” nuk mund të vijnë për sulmin, atëherë strategjia që mendohet të ndjekin shkodranët është tjetër. Më mirë një mesfushë me shumë lojtarë cilësorë dhe një sulmues I vetëm. Në kushte të tilla, kur trajneri Duro nuk e ka bërë të ditur emrin e mesfushorit që mund të vijë, ai merret vesh pa shumë vështirësi. është Klodian Duro. Mesfushori elbasanas siç duhet nuk I ka aspak punët mirë tek Tirana dhe fakti që në ndeshjen e fundit ndaj danezëve të Alesund është lënë në tribunë nga ana e trajnerit Rubio, e bën mëse të mundshëm divorcin e tij me bardheblutë. Rikthimi I idesë “Duro” ka ndodhur pikërisht në momentin e rishfaqjes së problemeve të tij tek Tirana. Dhe Vllaznia kërkon të përfitojë nga kjo. Ajo është e vetmja skuadër që ka shfaqur interesim për këtë futbollist deri tani. Me të ka patur edhe kontakte para disa ditësh dhe tashmë pritet raundi I dytë I bisedimeve. Nëse do vinte ish-lojtari I kombëtares, kjo do ishte “qershia mbi tortë” e merkatos kuqeblu. Tifozët shkodranë e adhurojnë këtë futbollist që nga viti 2001 kur bashkë me futbollistë të tjerë ai arriti të shpallte për herë të fundit Vllazninë kampione. Edhe tani e duan në skuadër. Në mendime të ndryshme që ato shfaqin, janë shumë të interesuar nëse do vijë ky futbollist apo jo. Ridalja në skenë e kësaj mundësie, sigurisht që I ka bërë të lumtur ata duke shpresuar që tashmë ky futbollist do kthehet të luajë sërish në “Loro Boriçi” pas 11 vitesh. Përveç tij, shpresat janë të mëdha që të mbyllet gjithçka edhe me sulmuesin Hysa. Vllaznia në këtë mënyrë në njëfarë mënyrë ka ndër mend të kopjojë kampionët e Europës-spanjollët që I mundën të gjithë kundërshtarët pa një sulmues të mirëfilltë ose me një sulmues të vetëm dhe me shumë mesfushorë nga prapa. Nëse vjen edhe Duro, sigurisht që mesfusha do konsiderohej e blinduar dhe për më tepër janë shumë lojtarë aty që dinë edhe të shënojnë. Me Duron (në rast se vjen), Shtubinën, Hajdarin, Dragoin dhe Deliç, goli nuk duket të jetë problem për këtë skuadër. Megjithatë duhet pritur edhe pak ditë. Vllaznia ka ndër mend ta mbyllë shpejt merkaton. Me një apo dy lojtarë, kjo mbetet për t’u parë. Trajneri Duro e ka lënë hapur mundësinë edhe të marrjes së një mesfushori tjetër dhe duhet t’I besojmë kësaj hipoteze përderisa gjërat deri tani kanë shkuar ashtu si ka dashur ai.
Gjergj KOLA