Klubi shkodran është gjendur para një vështirësie të madhe për gjetjen e një stadiumi për të luajtur ndeshjen e rradhës ndaj Laçit. Pistat e mundshme të Durrësit dhe Pukës kanë rënë poshtë ngaqë vendasit duan shuma të konsiderueshme për të hapur stadiumet e tyre. Të gjendur në rrethana të tilla, drejtuesit e Vllaznisë kanë kërkuar nga FSHF-ja të ndërhyjë për marrjen e stadiumit “Qemal Stafa” për këtë ndeshje por në fakt deri në këto momente ende nuk ka asnjë përgjigje në këtë drejtim. Për këtë arsye, askush nuk mund të thotë se ku do të luhet sfida e kësaj jave Vllaznia- Laçi.

Një situatë aspak normale e pikërisht për këtë klubi shkodran një javë më parë ngrinte zërin për shpejtimin e punimeve në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërsa nga Federata dolën menjëherë me përgjigjen se klubi shkodran gaboi me atë deklaratë. Në fakt, sot askush nuk i vihet në ndihmë Vllaznisë për t’i gjetur një stadium. Gjërat kësisoj janë koklavitur jo pak dhe njerëzit apo Bashkitë që kanë në dorë disa stadiume të tjera, duke parë këtë krizë impiantesh sportive të këtij fillim- sezoni, e kanë shfrytëzuar atë për “të rritur pazarin”. Megjithatë Vllaznia nuk është një ekip me financa të mira dhe kuptohet që nuk mund të bëjë shpenzime të tilla për të luajtur ndeshjet e saj. Ata që i prishën stadiumin, ata duhet të ndërhyjnë edhe për t’i gjetur një vend tjetër për të luajtur.

© shkodrasport.com