Sot në Elbasan janë zhvilluar garat e Kampionatit kombëtar individual të sallave të mbyllura (që në Shqipëri vazhdojnë të jenë në salla të hapura) dhe në të kanë marrë pjesë sportistët më të mirë të të gjithë ekipeve të vendit. Në mes tyre padyshim që nuk mund të mungonin ata të Vllaznisë të cilët edhe në këtë aktivitet kanë dhuruar rezultate të mira.

Ka spikatur mbi të gjithë atleti i mirënjohur Franko Burraj i cili në garën e 400 metrave me kohën 48″30 jo vetëm ka zënë vendin e parë në këtë disiplinë sportive por edhe ka grumbulluar më shumë pikë olimpike se gjithë të tjerët duke u shpallur kësisoj edhe si sportisti më i mirë i aktivitetit.

Përveç tij vende të para kanë zënë edhe sportistët Muhamet Çengeli në garën e trehapëshit, Edison Çardaku në 60 metra, Ravio Rama në 60 metra me pengesa dhe Gledis Halluni në kërcim së gjati.

Ndërkohë, paraqitje të mirë kanë bërë edhe sportistët e tjerë si Xhulio Guri, Kristian Rushini, Arber Bajraktari etj.
© shkodrasport.com