Opinion nga Gjergj KOLA

Ballafaqimi I së shtunës me Kastriotin konsiderohet shumë I rëndësishëm për Vllazninë. Në rast fitoreje, ajo do të ngjiste disa vende ndoshta në renditje por e kundërta mund të ndodhë nëse humbet por edhe barazon. Me logjikë, kuqeblutë mund të zbresin deri tek vendi I nëntë në renditje. Nëse ndodh kjo, do ishte fatale për një skuadër që është ndërtuar për të qenë ndër më të mirat e këtij sezoni.

Në këtë konteks, sfida me krutanët vlen shumë. Me shumë mundësi edhe për trajnerin Shpëtim Duro. Zërat që flasin pranë klubit shkodran, bëjnë të ditur se ai është në pikëpyetje vetë, për të qëndruar apo për t’u larguar. Pas ndeshjes me Flamurtarin, vetë trajneri pat deklaruar se në rast se ajo ndeshje do kishte përfunduar 0-3 ashtu siç u nis, ai do kishtë dhënë dorëheqjen. Në fakt, ajo ndeshje u mbyll në barazim por në vetvete nuk ka dhuruar ndonjë gjë të madhe për shkodranët. Vetëm një pikë më shumë në renditje. Analiza që bëhet tani është më e qartë dhe Vllaznisë I duhen patjetër pikë. Edhe trajnerit Shpëtim Duro nëse dëshiron të qëndrojë në krye të kësaj skuadre. Sigurisht që nuk është vetëm kjo ndeshje që do vendosë fatin e tij. Analiza që do bëhet, do jetë e gjerë dhe do përfshijë në të gjithçka ka ndodhur. Megjithatë, nëse Vllaznia përfundon në vendin e nëntë në renditje në fund të fazës së parë, kjo do jetë paksa e papranueshme. Për të mos u ndalur pastaj tek eliminimi nga kupa dhe prej kësaj, dëmet për këtë skuadër janë të mëdha. I gjithë dhjetori do jetë pushim për skuadrën, si pasojë e këtij eliminimi. Edhe specialistë që kanë votuar për trajnerin në qershor për të qenë ai trajner I Vllaznisë, nuk do ia falnin dot një tjetër disfatë edhe në këtë ndeshje të fundit të këtij viti. Jo më kot, ata janë shprehur se në rast humbje në Krujë, Duro duhet të japë vetë dorëheqjen. Ndeshja në këtë mënyrë pritet të jetë delikate. Kundërshtari nga ana e tij ndodhet në pozita edhe më delikate në renditje dhe në kushte të tilla, pritet të jetë një ballafaqim I fortë. Në Shkodër mendojnë se Vllaznia nëse luan siç luajti në 30 minutat e fundit të ndeshjes me Flamurtarin, mund t’ia dali të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Por në fakt, kjo skuadër në këtë sezon nuk na ka dhuruar momente të tilla shumë. Ato janë të rralla dhe për më tepër, ende nuk kemi parë një 90 minutësh të plotë të tillë nga kuqeblutë. Ndaj Kastriotit nuk do jetë një sfidë aspak e lehtë, përkundrazi vendasit “të etur” për pikë “do turren” ndaj shkodranëve të cilët kanë treguar se gabojnë jo pak në mbrojtje në momentet më deçisive. Ky 90 minutësh duhet pritur me shumë interes. Në Shkodër ka ndoshta edhe nga ata që duan humbjen e Vllaznisë, për të larguar trajnerin. Ekziston edhe kjo ide megjithatë nuk është shumë e besueshme. Futbollistë e trajnerë, do jenë në fushën e lojës për të justifikuar fanellën kuqeblu që mbajnë të veshur se në rast të kundërt, ata duhen larguar bashkë me trajnerin nëse skuadra e mbyll në vend të nëntë këtë fazë të parë të kampionatit.