Gilman Lika bën llog aritë për mbijetesën. Edhe pse iu “djeg” fakti që nuk e kanë fatin në dorën e tyre, ai mendon se Vllaznia është e favorizuar nga kalendari.
Nëse Kamza në këto 3 javë ndeshet me ekipe të etura për pikë, shkodranët do të luajnë me Skënderbeun dhe Kukësin, që sipas tij nuk kanë motivim për rezultatin.
Në intervistën e dhënë dje për mediat, kapiteni evidentoi gabimet e bëra ndaj Kamzës rivale dhe nuk ngurroi që t’u kërkonte falje tifozëve që lanë dy pikë në shtëpi.
Me barazimin ndaj Kamzës, situata te Vllaznia është rënduar shumë. Ndieni presion?
Po, është e vërtetë, ky barazim na ka vënë në vështirësi serioze për çështjen e mbijetesës.
Dy pikë të humbura që nuk i kishim parashikuar, sepse gjatë të gjithë këtyre ditëve kemi qenë të përqendruar dhe besonim se do ta fitonim.
Nëse do t’ia dilnim, më pas do të ishim ne ato që të diktonim vazhdimësinë e kampionatit.
Pse nuk morët dot fitoren, çfarë nuk shkoi?
Dëshira dhe mobilizimi ishin në nivele të larta. Por ana psikologjike vazhdon të jetë një pengesë në lojën tonë.
Krijuam volum të madh, patëm edhe raste të shumta, por goli fatkeqësisht nuk erdhi.
Ndër të tjera, bëmë edhe shumë gabime përpara portës kundërshtare, duke qenë konfuzë në mënyrën e gjetjes së golit.
Por, duhet thënë që përballë kishim edhe një Kamzë, e cila kishte ardhur në Shkodër e mobilizuar.
Nuk e justifikuat mbështetjen e tifozëve dhe në fund u larguat të pakënaqur nga stadiumi…
Në emër të skuadrës, dua t’i falënderoj shumë për mbështetjen. Jo vetëm ishin shumë krahasuar me ndeshjet e këtij sezoni, por na kanë brohoritur gjatë gjithë kohës.
Bëmë të gjitha përpjekjet e mundura që t’i gëzojmë, duke luajtur me shpirt. Por derisa nuk u arri objektivi, nuk ka vend për justifikim.
U kërkojmë falje të gjithë tifozëve që nuk arritëm të marrim tri pikë, por shpresojmë që ta kompensojmë në vazhdim.
Pas këtij barazimi, në opinionin sportiv ka pesimizëm. Besoni te mbijetesa?
Humbja e dy pikëve në shtëpi dhe përballë një rivali direkt, për hir të së vërtetës, na e ka vështirësuar objektivin. Por, asgjë nuk ka mbaruar.
Në lojë janë edhe 9 pikë që mund të përmbysin gjithçka. Matematika e lë të hapur një situatë të tillë, me një ndeshje mund të ndryshojnë raportet, pse jo duke nisur që nga kjo javë.
Meqë kaluam te ndeshja e ardhshme. Koha nuk pret, por sot (dje) e bëtë pushim, edhe pse të dielën luani në transfertë me Partizanin. Pse ky vendim?
Stafi e ka parë të arsyeshme që një ditë pas ndeshjes ta bëjmë pushim dhe mendoj se është e nevojshme për të rikuperuar forcat.
Për Partizanin do të mendojmë këto dy ditë, me seancat e së premtes dhe së shtunës.
Ka ndonjë shqetësim fizik apo edhe me kartonë për këtë ndeshje te titullarët?
Jo, fatmirësisht asnjë. Edhe titullarët që kishin tre kartonë të verdhë u treguan të kujdesshëm ndaj Kamzës për të mos humbur Partizanin.
Sakaq, edhe Orelesi që ka pasur probleme fizike presim që t’i bashkohet grupit.
I kalueshëm Partizani?
Është një ndeshje shumë e vështirë, pasi dihet forca e kësaj skuadre dhe pretendimet që ata kanë për Europën.
Ka pasur luhatje në realizimin e këtij objektivi, por fakti që kanë akoma shpresë, e bën të vështirë edhe përballjen ndaj nesh.
Megjithatë, duke qenë tejet vendimtare, për ne nuk ka rrugë tjetër përveçse fitore. Dhe, jo vetëm të dielën, por edhe në vazhdim. Vetëm kështu mund të mbajmë gjallë shpresën për mbijetese.
Edhe nëse Vllaznia fiton me Partizanin, Kukësin dhe Skënderbeun, nuk e shmangni rënien po mori Kamza 9 pikë. I trembeni këtij fakti?
Kjo është ajo që na djeg më shumë, pasi nuk e kemi më fatin tonë në dorë. Tashmë duhet të presim ndonjë gabim edhe të kundërshtarit.
Duke parë kalendarin, Vllaznia e nis në kryeqytet, pret Kukësin dhe e mbyll në Korçë.
Janë kundërshtarë të fortë, por deri diku mund të jemi të favorizuar, pasi Kukësi me Skënderbeun nuk kanë më motivin e rezultatit.
Ndërkohë që Kamza rivale do të luajë me Flamurtarin, Laçin dhe Partizanin, tri skuadra që janë me “oreks” pikësh që mund dhe duhet t’ua vështirësojnë punën atyre.