Pas fitores me Kukësin, tashmë Vllaznia është tërësisht e përqëndruar tek ndeshja e rradhës për javën e 12-të të Abissnet Superiore ndaj Tiranës.

Kjo supersfidë, sipas kalendarit të FSHF, duhej të zhvillohej në stadiumin “Loro Boriçi”, por duke qenë se në barin e këtij stadiumi po bëhet proçesi i rimbjelljes së tij, me mirëkuptim të të dy klubeve, është vendosur që ndeshja të luhet në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, siç është bërë me dije edhe më herët nga “Shkodra Sport”.

Tashmë, një gjë e tillë është zyrtare, madje është miratuar edhe dita dhe orari, të shtunën në ora 13:00.

Një zhvendosje e tillë do të bëjë që në dy fazat e tjera, takimet me bardheblutë, Vllaznia t’i luajë në fushën e saj të stadiumit “Loro Boriçi”.

Ndërkohë, “Klasikja e Shqipërisë” Tirana-Vllaznia do të luhet të shtunën, duke nisur nga ora 13:00, me ekipin shkodran, që edhe pse luan në transfertë, do të kërkojë të marrë maksimumin e mundshëm.
Maringlen ZHIVANI