Për dy ditë me rradhë në Tiranë këtë fundjavë do të zhvillohen finalet e Kupës së Shqipërisë në boks. Në të do të marrin pjesë boksierët më të mirë të vendit si dhe disa nga boksierët më të mirë të Kosovës. Edhe në këtë aktivitet pritet të jetë një rivalitet i fortë midis disa ekipeve dhe kryesisht mes Vllaznisë dhe Tiranës. Këto dy skuadra ishin rivalet kryesore në kampionatin e fundit që u fitua nga shkodranët dhe në përfundim të tij, pjestarë të ekipit tiranas, patën bërë jo pak zhurmë se gjoja fitorja e Vllaznisë ka qenë e pamerituar.
Kësisoj këtë herë, është mundësia më e mirë për të treguar vlerat gjithësecili boksier dhe ekip. Shkodranët janë nisur sot drejt kryeqytetit për të marrë pjesë në aktivitetin e dytë më të rëndësishëm kombëtar të boksit. Në përbërje të ekipit që drejtohet nga trajneri Zef Gjoni marrin pjesë 6 boksierë. Kështu në peshën 56 kilogramë do të konkurrojë për Vllazninë boksieri Gëzim Jaku, në peshën 60 kilogramë boksieri Ronildo Pirani, në peshën 64 kilogramë Kristian Shytani, në peshën 69 kilogramë Asmer Bilali, në peshën 81 kilogramë Bekim Vjerdha dhe në peshën 91 kilogramë, Kristian Demaj. Me këto sportistë pritet që Vllaznia të zërë sërish vendin e parë dhe të bëjë pronë të sajën edhe Kupën e Shqipërisë për të mbyllur kështu vitin 2011 me një sërë suksesesh si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare.