Opinion nga Apollon HAXHI
Kam ndjekur me vëmendje ndeshjen e fundit të Vllaznisë, atë me Shkumbinin ashtu si gjitha ndeshjet e tjera të skuadrës shkodrane dhe në fakt, më bëri përshtypje një gjë: mbrojtja me shumë forca e kuqebluve. Ta nisësh ndeshjen me dy sulmues të deklaruar dhe ta mbyllësh atë me pesë mbrojtësa të deklaruar, kjo më duket e pakuptimtë. Sigurisht që çdo gjë nuk ka ndodhur rastësisht sepse po thuhet se ka qenë zgjedhje taktike e trajnerit por e përsëris, nuk më duket shumë normale. Duro mund të justifikohet me këtë zgjidhje ngaqë e pësoi në Berat dhe duke menduar që të mos e pësojë sërish, ai kërkon më mirë të rrezikojë pak në bukurinë e lojës por do pikët dhe kjo është logjike për një trajner.Por, e përsëris, në syrin e një vëzhguesi, e një spektatori apo specialisti nga jashtë, nuk është një futboll i bukur, i denjë për një Vllazni që historikisht njihet për një futboll të tillë. Përpos kësaj, të mbrohesh në 30 metra është edhe e rrezikshme. Duhet të mbrohesh më lart, duhet të punojnë “fashot” anësore por jo të mbrohesh me pesë mbrojtësa fiks dhe shumë pranë portës. Vërtetë Shkumbini siç thotë edhe trajneri, nuk krijoi raste në këtë ndeshje, por s’duhet të ndodhë kështu edhe në ndeshjet e tjera sepse do jetë më e rrezikshme për ta aplikuar. Futbolli zgjidhet edhe nga episodet pastaj në Shqipëri nuk po shohim as ndonjë diferencë të madhe mes ekipeve.E rëndësishme është që Vllaznia të tregohet solide tani që vijnë ndeshjet e vështira. Nëse edhe ndaj këtyre ekipeve trajneri Duro ia del të mbrohet mirë dhe të marrë rezultatet, atëherë nuk kemi çfarë të themi por duhet parë se çfarë do ndodhë.