Trajneri I Vllaznisë Shpëtim Duro ende nuk e ka të qartë formacionin që do të hedhë në fushë për ndeshjen e nesërme me Besën. Në dy ditët e fundit që ai ka qenë pranë skuadrës në stërvitje, nuk ka zhvilluar ndeshje kontrolli. Thjesht ka aplikuar disa lojëra me top me ekipin për 15 minuta por pa e ndarë atë në dy pjesë për të zhvilluar ndeshjet e zakonshme të kontrollit. Duke qenë kështu, ende nuk është shumë e qartë se cilët futbollistë do të zgjedhë ai për të hedhur në fushë në këtë ndeshje. Këta të fundit e kanë të paqartë se cilët do luajnë dhe cilët jo.

Janë 13-14 futbollistë që janë aktivizuar rregullisht deri tani dhe dilema është për 2-3 vende sepse të tjerët thuajse janë stabël për çdo ndeshje. Kështu në portë padiskutim që do jetë Vujadinoviç. Edhe në mbrojtje tre janë të sigurtë e pikërisht Smajli, Osmani dhe Beqiri. Ka një dilemë për mbrojtësin e majtë. Semina është rikthyer nga skualifikimi me kartona I javës së kaluar dhe mund të rikthehet në formacion por nuk përjashtohet mundësi a që Begaj I cili ka luajtur në këtë vend, të kalojë në mesfushë ngaqë mungon Shtubina tashmë I dëmtuar. Në ndeshjen ndaj Tiranës pati një spostim të Deliç në krahun e majtë por kuptohet që ai nuk është vendi I tij I zakonshëm dhe hasi në jo pak vështirësi. Në të majtë megjithatë mund të spostohet Hajdari ngaqë në të djathtin rikthehet Dragoi. Ka një dilemë për lojtarët që do luajnë në qendër të mesfushës. Në takimin e fundit kanë qenë Belisha dhe Dema dhe nuk përjashtohet mundësia që ata të dy të luajnë sërish ndërkohë që Deliç mund të luajë si sulmues I dytë. I parë ende nuk dihet se kush do jetë, Hysa apo Rexha. Me shumë gjasa do vendoset për të parin. Kuptohet që nuk ka shumë mundësi që të luajë me të dy ata në vijën e parë sepse këtë skemë trajneri Duro nuk po e aplikon as në ndeshjet në Shkodër dhe jo më transferta.
Objektivi. Vllaznia do bëjë çmos që të mos dalë e mundur në këtë ndeshje. Nëse ndodhte ajo, do ishte fatale për të ardhmen e saj. Duke qenë kështu, trajneri Duro do bëjë çmos ta rreshtojë skuadrë me kujdes në prapavijë dhe të shohë pastaj se çfarë mund të dalë me anë të kundërsulmit. Situata në skuadër nuk është shumë e mirë, si pasojë e dy humbjeve rradhazi në kampionat dhe eliminimit në kupë dhe për rrjedhojë duhet ndryshuar diçka. Kalendari I ndeshjeve të ardhshme është shumë I vështirë dhe prandaj duhet marrë sëpaku një barazim ndaj kavajasve. Nëse ndodh kjo, do ishte diçka shumë e mirë edhe për të rritur moralin e skuadrës për vazhdimin. Ditët e fundit ka patur jo pak komente e diskutime në lidhje me situatën në skuadër apo dhe për vazhdimësinë e trajnerit Duro në krye të kësaj skuadre. Megjithatë me kalimin e ditëve, gjërat u kaluan dhe kuptohet që vëmendja u spostua tek ndeshja e rradhës me Besën. Ky takim pavarësisht se do luhet në fushë asnjanëse, sërish konsiderohet mjaft I vështirë dhe tashmë duhet treguar karakteri I vërtetë I futbollistëve të Vllaznisë. Të gjithë në Shkodër janë marrë me 12 blerjet e bëra. Për t’I justifikuar ato, patjetër që këta lojtarë duhet ta tregojnë veten pikërisht në këtë situatë.
Gjergj KOLA