Vllaznia ka zgjedhur Bosnjen për fazën përgatitore në prag të përgatitjeve për ndeshjet europiane. Kështu, ata do ta zhvillojnë këtë fazë në Bosnje, me skuadrën shkodrane që do të lërë të mërkurën qytetin e Shkodrës për t’u zhvendosur drejt këtij destinacioni, aty ku kuqeblutë do të qëndrojnë nga data 21-qershor deri më 4-korrik.
Në fakt, fundjavën e kaluar kanë qenë dy përfaqësuesit e KF Vllaznia, drejtori sportiv Elvis Plori dhe sekretari i përgjithshëm Blendi Dibra, të cilët vizituan prej së afërmi kampingun e Medjugorjes në Bosnje dhe mbetën të kënaqur me kushtet e ofruara nga vendi pritës.
Në fazën përgatitore dy-javore në Bosnje, natyrisht që pritet të ketë edhe ndeshje miqësore përballë skuadrave të tjera.
Megjithatë, gjatë ditëve në vijim, drejtuesit do të publikojnë të plotë edhe axhendën e skuadrës së Vllaznisë për fazën përgatitore në Medjugorje të Bosnjes.
Maringlen ZHIVANI