
Futbollistët dhe stafi drejtues I Vllaznisë kanë dy muaj pa marrë rrogat. Lajmi bëhet I ditur nga vetë ata teksa edhe dje kanë diskutuar me pjestarë të klubit për të marrë ndonjë sinjal në lidhje me kohën se kur do t’u kalojnë rrogat. Megjithatë, e gjithë kjo pengesë duket se ka mbet tek një firmë që duhet të lëshojë ministri I financave Ritvan Bode. Të paktën kështu, u ka thënë futbollistëve dje administratori I klubit Kujtim Shaba. E rëndësishme për klubin shkodran është se paratë ekzistojnë por janë thjesht çështje procedurash, kalimi I tyre në numrin e llogarisë së shoqërisë aksionere Vllaznia. Futbollistët kuqeblu ende nuk kanë marrë rrogën e muajit prill ndërkohë që sot skadon edhe afati që ata kanë të shkruar në kontratë (data 10) për të marrë rrogën edhe të muajit prill. Me shumë siguri, kjo rrogë nuk do merret as sot dhe në këtë mënyrë, janë dy muaj për t’u takuar. Drejtues të klubit shkodran bëjnë të ditur se këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë neglizhencë apo mungesë parash. Muajt janar, shkurt dhe mars janë likujduar me paratë e përfituara nga shitja e Vajushit dhe Sukajt. Çka do të thotë se në arkën e klubit, sot duhej të ishin 250 milionë lekë. Kjo shumë është ajo që Këshilli Bashkia Shkodër, në mbledhjen e tij të datës 6 prill 2012, ka vendosur si shtim I vlerës së kapitalit themeltar, në emetim të kapitaleve të reja të shoqërisë aksionere Vllaznia. Por që nga ajo ditë, ka patur jo pak problem. Fillimisht firmosja e këtij vendimi sipas legjislacionit nga ana e prefektes së Qarkut Shkodër. Më pas është dashur firma e kryebashkiakut Lorenc Luka për ta kaluar nga arka e Bashkisë në atë të klubit të futbollit. Kjo procedurë në fakt ka ndodhur me gati 2 javë a më shumë vonesë për arsye të udhëtimit të kryebashkiakut jashtë vendit apo dhe për neglizhencë të drejtuesve të shoqërisë aksionere. Megjithatë edhe kjo procedurë është kryer. Më pas, kur pritej që kjo shumë të kalonte përmes thesarit nga llogaria e Bashkisë në atë të KF Vllaznia sh.a, ka ndodhur edhe pengesa që solli edhe këtë vonesë të madhe. Dega e Thesarit, në raste të tilla të transferimit të fondeve si kapital tek një shoqëri aksionere, mesa duket prêt një firmë nga ana e ministrit të financave Ritvan Bode. Të paktën kështu u është thënë dje futbollistëve nga ana e administratorit Shaba. Ata në fakt nuk kanë kuptuar shumë gjëra nga këto çfarë u ka thënë numri 1 I klubit megjithatë kanë qenë të detyruar ta besojnë sepse nuk kanë rrugë tjetër. Kuptohet përderisa u është thënë se është çështje ditësh hedhja e kësaj firme, ata nuk kanë pse shqetësohen shumë megjithëse sot atyre u bëhen dy rroga pa marrë. Ndodh edhe kështu. Arka e klubit Vllaznia aktualisht nuk ka asnjë qindarkë. Paratë në fakt janë, madje shumë më tepër sesa duhen për të paguar këto dy muaj rroga, por janë këto pengesat e tjera që nuk lejojnë që ato të shkojnë në xhepat e futbollistëve dhe pjestarëve të stafit drejtues. Burokracira të jashtëzakonshme dhe kalimi I klubeve të futbollit në duart e Bashkive, I ka ndërlikuar edhe më shumë këto gjëra. Futbollistëve u duhet të presin firmën e ministrit. Atyre kështu u është thënë dhe prandaj, ata mbesin me shpresë se ai do ta gjejë kohën e duhur për ta kryer këtë procedurë rutinë. Ata mbajnë familjet e tyre me këto rroga dhe prandaj I kanë sytë aty.
Gjergj KOLA