Shkodra dhe sporti shkodran vazhdojnë të na dhurojnë befasi nga më të ndryshmet.
Ditën e djeshme, kampioni i kërcimeve Izmir Smajlaj u shpall kampion kombëtar në një disiplinë tjetër, atë të shpejtësisë në 100 metra.
Por, kjo e Kampionit të Europës nuk ka qenë e vetmja surprizë. 14 vjeçarja Erisa Rrasa në të parin kampionat me të rriturat, ka arritur të shpallet kampione kombëtare në garën e kërcimit trehapësh.
Natyrisht që rezultati nuk ka qenë i lartë megjithatë kemi të bëjmë me një 14 vjeçare dhe treguesit e saj janë fantastikë.
Trajneri i saj, i mirënjohuri Vildan Tufi ka disa muaj që evidenton këtë vajzë duke thënë se ajo do të jetë e ardhmja e atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare.
Erisa është një vajzë e talentuar dhe trajneri Tufi kërkon ta krahasojë me të madhen Vera Bregu.
Megjithatë, ajo ka vetëm pak muaj që ka nisur këtë sport dhe e ka nisur me këmbë të mbarë.
Titulli kampion i arritur ditën e djeshme është vërtetë një rezultat për t’u përgëzuar dhe një fillim i shkëlqyer i karrierës së saj.
© shkodrasport.com