Basketbollistët e Vllaznisë që nga pasditja e sotme kanë nisur stërvitjen në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Problemi që pat ekzistuar në mes Bashkisë Shkodër, Sportklub Vllaznisë dhe Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, tashmë është zgjidhur përfundimisht dhe një marrëveshje e përbashkët ka bërë që ekipi të mos penalizohet por t’i rikthehet stërvitjeve për t’u bërë gati për nisjen e kampionateve.

Përpara kanë dalë në stërvitje vajzat e basketbollit ndërsa në darkë ka qenë rradha e djemve nën drejtimin e trajnerit Bledar Gjeçaj. Të pranishëm kanë qenë gjithë basketbollistët shkodranë të cilët do të jenë mesa duket ata që do të përfaqësojnë Vllazninë në sezonin e ri. Për momentin nuk bëhet fjalë për blerje të reja pasi më e rëndësishme deri më tani ka qenë zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe nga sa mësohet, vendimtare ka qenë ndërhyrja e kryebashkiakes Ademi për zgjidhjen e kësaj çështje që u zgjat më shumë sesa duhet.

© shkodrasport.com