Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka marrë një lajm aspak të mirë në prag të ndeshjes së parë të vlefshme për Ligën Ballkanike, atë ndaj malazezëve që do të luhet pasditen e sotme në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.

Njëri nga lojtarët e saj titullar, pikërisht Dodë Lekndreaj, do të luajë sot ndeshjen e tij të fundit për Vllazninë.Kjo për arsye se në mesnatë do të nisë rrugëtimin e tij drejt Kanadasë ku mendohet të vazhdojë jetën e tij.

Për këtë arsye, fitorja ndaj Ibar ka një motiv më shumë për t’u arritur sepse do t’i dedikohet pikërisht Lekndreajt. Prej disa sezonesh ai ka kontribuar në rezultatet e ekipit të Vllaznisë dhe meriton vërtetë përgëzime për këtë gjë.

Kujtojmë se Lekndreaj ka qenë edhe pjesë e ekipeve tona kombëtar ndërsa tani pritet ta vazhdojë karrierën e tij në Kanada. Kjo padyshim që përbën një problem për ekipin e Vllaznisë sepse drejtuesve të tij u duhet të ndërhyjnë në merkato për të gjetur një lojtar tjetër për ta zëvendësuar.

Gazeta “Shkodra Sport” i uron Dodë Lekndreajt suksese në jetë dhe në karrierën e tij tashmë larg Vllaznisë.
© shkodrasport.com