Kualifikim pa as më të voglën vështirësi për në finale të Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia e futbollit të femrave. Në ndeshjen gjysmëfinale të luajtur pasditen e sotme në “Reshit Rusi” ajo ka fituar me rezultatin e thellë 8-0.

Vajzat kuqeblu e kanë zhbllokuar shpejt rezultatin teksa Megi Doçi ka shënuar nga pika e bardhë e 11-metërshit që në minutën e 4-të. Më pas do të shënonte Lufo, ndërkohë që Doçi do të shënonte edhe dy herë të tjera gjatë pjesës së parë që kësisoj u mbyll në shifrat 4-0.

Në fillimin e pjesës së dytë, Doçi do të shënonte sërish, golin e saj të katërt personal e më pas do të ishte Zarka që do të shënonte dy gola njëri pas tjetrit ndërsa në fund ka vend edhe për një tjetër gol të Bajramajt.

Përfundimisht 8-0 për Vllazninë ndaj Tirana AS dhe ekipi shkodran në këtë mënyrë kualifikohet për në finale të Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni.

Përballë saj do të jetë fituesja e çiftit Apolonia- Tirana, ndeshje kjo që do të luhet ditën e nesërme. Ndërkohë ende nuk ka një datë të saktë se kur do të luhet finalja dhe vendi./SHKODRA-SPORT.COM/