Skuadra e Vllaznisë ka nisur prej tre ditësh përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë që do të luajë ditën e hënë në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Teutës. Një sfidë kjo shumë e rëndësishme në të cilën kuqebluve nuk u bën punë as barazimi.
Ky i fundit në fakt mund të jetë i vlefshëm për kundërshtarin, prandaj dhe pritet që ai të luajë më i kujdesshëm në “Loro Boriçi”. Kuqeblutë nga ana e tyre kanë treguar se do të jenë deri në fund konkurrues edhe për titullin kampion dhe për këtë arsye, do kërkojnë vetëm fitoren.
Në këtë pragndeshje, stafi teknik i skuadrës shkodrane është ndeshur me disa probleme dëmtimesh teksa braziliani Da Silva dhe mesfushori Marku kanë ndjerë shqetësime dhe si rrjedhojë i janë drejtuar infermierisë. Për këtë të fundit, gjërat nuk duken serioze dhe pritet që ai të jetë në fushë të hënën, por disi më ndryshe qëndron situata me sulmuesin brazilian, i cili me shumë të ngjarë nuk do të luajë ndaj Teutës.
Megjithatë kjo nuk përbën asnjë problem sepse te Vllaznia janë mësuar me mungesat dhe si rrjedhojë trajneri Brdariç i ka gjithnjë gati alternativat. Ajo që duhet thënë është se ndryshe nga përballja e javës së kaluar me Tiranën, këtë herë ekipit shkodran nuk i lejohet as barazimi. Kampionati i Kategorisë Superiore po shkon drejt fundit dhe nuk ka më kohë për të rikuperuar.
Për këtë arsye, pasditen e së hënës do të tentohet vetëm fitorja ndaj skuadrës që drejtohet nga trajneri shkodran Edi Martini. Bilanci i përballje me të është i barabartë dhe Vllaznia do të synojë një tjetër fitore ndaj Teutës, në mënyrë që të qëndrojë në lojë për titullin kampion, por edhe të jetë në avantazh ndaj saj në ballafaqimet direkte.