Ekipi i Vllaznisë ka vijuar me përgatitjet edhe ditën e sotme në prag të ndeshjes së rradhës ndaj Laçit, me synimin për t’u kthyer te fitorja. Një përballje deçizive për shkodranët, që vijnë pas një serie rezultatesh negative.

Për këtë takim, trajneri Elvis Plori do të ketë të gatshëm të gjithë lojtarët, me përjashtim të një prej tyre, Fallou Diagne, që nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë prej kartonëve. Pjesa tjetër e grupit do të jetë e plotë.

Megjithatë, Plori do të ketë dy rikthime. Kështu, bëhet fjalë për kapitenin Erdenis Gurishta dhe mesfushorin Elvedin Heriç. Rikthimi më i rëndësishëm është ai i kapitenit Gurishta, që mungon që nga sfida me Partizanin në kampionat, ndërsa tani ka lënë pas dëmtimin dhe pritet të jetë nga minuta e parë të shtunën ndaj Laçit.

Ditën e nesërme, ekipi i Vllaznisë do të zhvillojë stërvitjen e fundit në fushën “Reshit Rusi” dhe më pas pritet të grumbullohen për ndeshjen ndaj Laçit. Takimi ndaj Laçit do të luhet ditën e shtunë në orën 16:45 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Maringlen ZHIVANI