Pas tre javësh pune intensive me skuadrën, trajneri I Vllaznisë Shpëtim Duro I ka rritur parametrat fizikë të skuadrës por ka ende shumë për të bërë në aspektin taktik dhe të bashkërendimit të veprimit në mes lojtarëve në fushën e lojës. Miqësorja e luajtur dy ditë më parë ndaj Mornarit të Tivarit, e cila u humb me rezultatin 0-1, ka nxjerr në pah jo pak të meta tek Vllaznia. Mbi të gjitha në lojën e saj. Futbollistët e ardhur në merkaton e verës ende nuk njohin lojën e njëri-tjetrit dhe kjo është demostruar në fushë ditën e hënë. Ndaj skuadrës malazeze, shkodranët asnjëherë nuk janë ngjitur në nivelin e pritshëm nga ana e trajnerit Duro.
Ka munguar loja e rrjedhshme, ka munguar organizimi I saj në mënyrën e duhur dhe për më tepër , ka munguar befasia në sulm. Ata që e kanë parë ndeshjen, kanë konstatuar një Vllazni “të panjohur” me lojtarë që nuk e njihnin aspak lojën e shokëve të skuadrës. Ka spikatur mbi të gjithë Osmani ndërsa tek gjithë të tjerët, gabime pafund. Një miqësore që ia ka vlejtur për t’I treguar edhe trajnerit Duro se ka shumë për të bërë, tashmë në harmonizimin e lojtarëve dhe të lojës së ekipit.
Harmonia. Tek Vllaznia ka harmoni në skuadër në mes lojtarëve dhe stafit drejtues por në fakt mungon harmonia në lojë. Fakti që tetë lojtarë kanë ardhur vetëm Brenda një kohe të shkurtër, ka ndikuar shumë në këtë drejtim. Ata kanë ardhur nga drejtime dhe skuadra të ndryshme dhe nuk e njohin lojën e njëri-tjetrit. Për rrjedhojë, kjo është demostruar edhe në fushën e lojës ndaj Mornarit. Njerëz që kanë qenë në Tivar për ta parë këtë miqësore thonë se duke parë Vllazninë të luante, të krijohej menjëherë përshtypja se lojtarët nuk kishin asnjë lidhje me shokët e skuadrës në fushë. Veprime individuale, topa të humbur pafund dhe për rrjedhojë një zhgënjim jo I vogël. Ndryshe nga seancat stërvitore të ditëve të fundit ku ka patur tjetër paraqitje në fushë, në këtë ndeshje miqësore, kanë dalë në pah disa probleme jo të vogla. Dhe në fakt një gjë e tillë është mëse e logjikshme. Nga skuadra e vjetshme luajnë titullarë vetëm Vujadinoviç, Smajli dhe Hajdari. Tetë të tjerët janë “neë entry” e për pasojë u duhet jo pak kohë të përshtaten me njëri-tjetrin.
Miqësorja me Adën. Pikërisht për të filluar ndreqjen e këtyre të metave, stafi drejtues I Vllaznisë ka ndër mend të zhvillojë shumë miqësore gjatë muajit gusht deri në momentin e nisjes së kampionatit. Për këtë arsye, shumë shpejt është rregulluar një tjetër miqësore. E dyta e kësaj faze përgatitore do të zhvillohet pikërisht sot ndaj Adës së Velipojës. Drejtuesit e dy ekipeve kanë rënë dakord për luajtjen e saj pikërisht pasditen e sotme në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo miqësore do t’I shërbejë trajnerëve Duro e Nikaj për të parë gjendjen e ekipeve të tyre por mbi të gjitha më e rëndësishme është për atë të Vllaznisë. Vëmendja është maksimale ndaj kësaj skuadre. Tifozët presin shumë prej saj dhe për këtë arsye pritet shumë. Madje që në ndeshjen e sotme me Adën mendohet të ketë njëfarë ndryshimi në lojën e kësaj skuadre. Pas kësaj ndeshje, me shumë siguri në fundjavë do ketë një tjetër miqësore dhe pastaj edhe javën tjetër sërish të tjera. Vllaznia ka nevojë të jetë në fushë sa më shpesh të jetë e mundur.
Gjergj KOLA